Aksident trafiku në Grabovc, dy persona të lënduar pas përplasjes mes trenit dhe veturës
Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm midis një veture dhe trenit në fshatin Grabovc, të komunës së Fushë Kosovës.
Për gazetën Sinjali, këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 7:15.
“Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet . Si pasojë e aksidentit, dy persona janë lënduar”, ka thënë Ahmeti.
Tutje bëhet e ditur se personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.

