Aksidenti i autobusit që po transportonte pensionistët, kompania: Të gjithë janë mirë
Një autobus i agjencisë “Elita Tours”, i cili po transportonte pensionistët e Kaçanikut në një udhëtim drejt Shqipërisë, është përfshirë në një aksident në rrugën Carralevë-Duhël të martën në mëngjes.
Tre persona u lënduan nga përplasja mes autobusit dhe një kamioni, tha Policia e Kosovës.
Tre të lënduarit pranuan trajtim mjekësor në emergjencën e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Suharekë.
Pasagjerët, pensionistë nga Kaçaniku, kanë shpëtuar pa lëndime dhe janë transportuar në autobusin tjetër të kompanisë, tha sot agjencia “Elita Tours”.
Agjencia tha se ata janë nisur rrugës për në bregdetin shqiptar.
“Njoftohen te gjithe familjaret e pensionisteve te Kaqanikut te cilet kane qene duke udhetuar nga Kaqaniku ne drejtim te bregdetit Shqiptar, dhe gjate rruges kane pasur nje aksident mirpo fale zotit te gjithe pasagjeret jane mire dhe nuk kan lendime serioze ndersa pasagjeret jane transportuar me autobusin tjeter dhe jan rruges per ne bregdetin Shqiptar”, tha kompania.