AKSIONI “NGJALA”, AKTAKUZË KUNDËR ISH KRYETARIT TË OHRIT

224

oher

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë për keqpërdorimin e detyrës dhe mitmarrje ndaj ish kryetarit të Komunës së Ohrit, Aleksandar Petreski, i akuzuar në rastin “Ngjala”. Në këtë rast janë të akuzuar gjithsej 16 persona prej të cilëve pesë të punësuar në komunë që supozohet se e kanë dëmtuar Ohrin për 1.8 milionë euro.

“Në nëntor të vitit 2013, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit solli urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër gjashtëmbëdhjetë personave, mes së cilëve për pesë zyrtarë shtetëror të punësuar në Komunën e Ohrit dhe për pesë drejtues kompanish. Të dyshuarit akuzohen se gjatë periudhës prej vitit 2006 deri në vitin 2013 kanë kryer vepër penale – keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar dhe vepra tjera penale, me çka persona të tjerë juridik kanë përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 112 milionë denarë, respektivisht 1.8 milionë euro, të cilat kanë shkuar në dëm të Komunës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.

Gjatë muajit të kaluar pesë të dyshuar janë marrë vesh me gjykatën për t’ua ulur dënimin duke e pranuar fajin, të gjithë këto të dyshuar për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar. Prokuroria nuk e ka saktësuar se sa është lartësia e dënimit për të cilin janë marrë vesh me të dyshuarit.

Për nëntë të dyshuarit tjerë, të përfshirë në hetimin për lëndën “Ngjala” procedura është ndaluar.

Ish kreu i komunës së Ohrit Aleksandar Petreski, kuadër i LSDM-së, ka kaluar pesë muaj në paraburgim. Në prill të 2015-tës është lëshuar me garanci që të mbrohet në liri.SHENJA/

Comments