Ali Këlcyra, si i shpëtoi arrestimit

Pas ciklit të parë të shkrimeve kushtuar Ali Këlcyrës, shkrime të cilat Shqiptarja.com i botoi javën e fundit të shtatorit, studiuesi Ylli Polovina sjell për lexuesit serinë e dytë të shkrimeve të këtij cikli, ku trajton të tjera ngjarje e fakte interesante nga jeta e Ali Këlcyrës dhe veprimtaria e tij politike e patriotike. Sot sjellim shkrimin e shtatë të ciklit kushtuar kësaj figure me interes të historisë shqiptare, për të vijuar me 5 shkrime të tjera deri në fund të javës. Shkrimi i shtatë Duhet të ketë qenë ende pa dalë muaji prill i vitit 1939- “Unë nuk mund të them as po dhe as jo, i shpjegoi kryediplomati i ambasadës, por lutjen tuaj do t’ia dërgoj Romës”. Pastaj Guarilia i ofroi të mbushte disa formularë dhe ndërkohë i bëri të ditur se mundësinë e rikthimit në vendlindjen e vet po e kërkonte një politikan shqiptar, i cili kishte pasur marrëdhënie jo përherë të përputhura me qeverinë e zotit Musolini. Kur pa që Ali Këlcyra, duke bërë sikur nuk e pati dëgjuar, kinse nuk i ktheu përgjigje, ambasadori italian shtoi: “Do t’ja dërgojmë pa vonesë lutjen tuaj Pallatit Kixhi dhe Kryeministria do të na kthejë përgjigje shumë shpejt”. ”Po erdhi miratimi, vijoi pas një heshtjeje të shkurtër, të jini të sigurt se prej nesh nuk do t’ju vijë asgjë e keqe”. Heshtjes së re të Ali Këlcyrës Rafaele Guarilia iu përgjigj me fjalët e ndara qartë nga njëra-tjetra: “Kjo do të thotë se nuk do t’ju arrestojmë”. “Ju kuptoj”, tha italiani. Një minutë më pas vijoi: “Politika është pasion i shquar për ju. Në rast se merreni me të edhe si miku ynë, do të ishim mjaft të gëzuar”. “Zgjedhja juaj”, mëshoi rrokjet edhe ambasadori Rafaele Guarilia dhe me kaq u ndanë. Përgjigja nga Pallati Kixhi erdhi brenda dy javëve. Ali Këlcyrës i lejohej hyrja në Shqipëri nëpërmjet tokës italiane, sigurisht bashkë me gruan dhe vajzën. Në përgjigjen e Kryeministrisë ndërkohë shkruhej se “Sidoqoftë një bashkëpunim ne do ta dëshironim”. Duket në Pallatin Kixhi i kishin besuar një ideje të ambasadorit të tyre në Paris, ku në materialin shpjegues të rastit Këlcyra ai pati nënvizuar për eprorët se për çështjen e tërheqjes formale të politikanit aktiv shqiptar nga marrja me profesionin e tij le të kishin pak durim e të pritnin. “Me kalimin e kohës do t’i vijë pak nga pak dëshira”, e kishte mbyllur gjykimin e vet kryediplomati Guarilia. Për shqiptarët Italia është shteti më i mirë mes fqinjëve Në Pallatin Kixhi e dinin se prej huqit të tij të vjetër të marrjes me politikë Ali Këlcyra nuk ndahej dot. I qe bërë mënyrë jetese. Nuk ishte shkëputur prej saj edhe në rrethana më të vështira, as në atdhe dhe as i emigruar si refugjat në qytetin e Barit apo në Romë, më pas në Vjenë dhe së fundmi në Paris. Paraardhësit e Rafaele Guarilias në një raport informativ për Romën ishin kujdesur të mos i mungonte asnjë presje një interviste që Këlcyra në maj 1933 i pati dhënë në Paris gazetës “La libertà”. Me këtë rast poshtë emrit të autorit, sigurisht për t’ja maskuar identitetin e vërtetë, nuk qe vendosur fjala “politikan shqiptar”, por “akademik shqiptar”. Në rreshtat e analizës së vet Ali Këlcyra vinte në dukje se ato çaste marrëdhëniet mes Ahmet Zogut dhe Benito Musolinit patën hyrë në një fazë mjaft të vështirë, pothuaj të një krize. Sipas Këlcyrës të dy krerët e vendeve përkatës kombinonin, sidomos në raportet financiare, frymë aleance dhe njëherësh kundërshtimi të fortë. Ali Këlcyra mendonte, dhe këtë gjë ambasada italiane në Francë e pati theksuar dukshëm në raportin informativ, se plani musolinian për ta kontrolluar plotësisht Shqipërinë po dështonte dhe po ashtu në faliment qe njëkohësisht edhe imazhi i regjimit të Zogut. Ambasadori Rafaele Guarilia dhe paraardhësit e tij në Paris e dinin se Këlcyra e kishte të shpeshtë bashkëpunimin me shtypin francez dhe botimet e artikujve të tij qenë vazhdimisht me shigjetim kryesor Ahmet Zogun, por pa i bërë bisht edhe kritikave ndaj Musolinit. Sipas frymës së këtyre shkrimeve fashizmi ishte i papranueshëm dhe këtë opinion të tij Ali Këlcyra e linte t’i dukej. Por ndërkohë ambasada saktësonte eprorët e vet për një veçanti: qëndrimi i politikanit shqiptar ndaj Italisë nuk qe krejt bardhë e zi. Këlcyra ishte i bindur se politika e jashtme e Romës ndaj Shqipërisë, me frymëzues Musolinin, ishte bërë mjaft agresive dhe kishte për qëllim shtrydhjen e saj si një portokalle. Doemos pas kësaj edhe shndërrimin në një koloni si Libia apo Etiopia. Ndërkohë, çfarë edhe ambasada italiane në Paris e dinte në mënyrë të sigurt, politikani i njohur shqiptar qe shprehur hapur se “Italia ishte fqinja më pak e rrezikshme nga Serbia edhe Greqia” dhe në kushtet kur ajo nuk mund të qëndronte dot e pavarur ekonomikisht, në raport me të ishte e përshtatshme dhe e domosdoshme të kryhej një kompromis. Mbret i Shqipërisë le të jetë një princ i familjes italiane Savoja Sipas Ali Këlcyrës, Italia dhe Shqipëria do të bashkoheshin nëpërmjet të njëjtës familje mbretërore. Kaq. Asgjë më tepër. Ai mendonte se me këtë veprim Shqipëria i jepte Italisë garancinë e plotë se nuk do të mbante kurrë ndonjë qëndrim kundër saj, siç shpesh i bënin presion dy fqinjët e tjerë. E merrnin thjesht si një dinakëri. Përpjekja e parë e italianëve për ta arrestuar Kështu qeveria fashiste i dha urdhër karabinierisë lokale ta trëmbnin, pse jo, po ta shihnin të arsyeshme, edhe ta arrestonin. Mbasi hëngrën nga një pjatë makarona dhe prisnin gjellën e dytë, atë me mish, Aliu i kërkoi karabinierit të shkonte pak deri në banjo. Tjetri i dha leje. Por rasti e deshi që nevojtorja të kishte një dritare mjaft të madhe, e cila binte mbi rrugë, kështu që menjëherë vendosi të arratisej. Nga dritarja u hodh në rrugë dhe prej andej me një frymë në stacionin e trenit. Për fat ato çaste një tren ishte duke u nisur dhe Ali Këlcyra pa prerë biletë dhe pa pyetur se për ku udhëtonte, hipi në njërin vagon. Treni, siç mori vesh, e kishte rrugën të gjatë. Duke kaluar treçerekun e Italisë ai do të dilte në verilindje dhe duke kapërcyer Triesten, do të ndalej në Beograd. Advije hanëm Vrioni nga dhoma e mbyllur në Fier në bulevardet e Parisit Për këto hapa fare të shkurtëra Hana kishte dëgjuar nënën e vet, ndërsa njëzetë e pesë vjeçare siç ato çaste qe, ia kujtonte një ditë Aliut përjetimet e veta në muajt e parë të mbërritjes së saj në Paris. Nëpër kryeqytetin francez Advija ecte si të qe një japoneze, madje me hap më të vockël se ato. Ali Këlcyra në fillim ishte habitur, madje qe hutuar, duke mos aritur të kuptojë përse ndodhte kjo gjë. U bind menjëherë sapo e shoqja i shpjegoi mënyrën e jetesës në Fier. Çapi i vogël i saj qe krijuar nëpër shumë vitet e rinisë, kur ishte, bashkë me tre motrat e saj jetime, pothuaj e mbyllur në një dhomë të madhe tek sarajet e dy xhaxhallarëve të Fierit, të cilët i kishin marrë nën kujdesje pas vdekjes së parakohshme të prindërve. Në këtë dhomë të madhe u patën vënë në çdo skaj nga një shtrat dhe kjo ishte e tërë bota e tyre intime. Në dëlirësinë vajzërore qenë të lira edhe kur lëviznin brenda sarajeve Vrioni, por ndërsa delnin jashtë këtij mjedisi, hidhnin mbi kokë çarçafin mysliman. U qe e ndaluar të ecnin në këmbë. Lëviznin të hipura në pajton. Omar Pasha, xhaxhai i tyre i parë, më i fuqishmi i dinastisë për Fierin, mjaft fanatik në çështje të doktrinës islame, nuk qe aspak i tillë në ato të marrëdhënieve me shoqërinë. Kur projektoi dhe ndërtoi këtë qytet në kërthizë të Shqipërisë, saktësisht në një nyje të madhe komunikimi mes jugut të vendit dhe brezit të tij të mesëm që shkonte drejt veriut dhe Kosovës, ai qe bërë autor i një ngjarjeje befasuese dhe mjaft të emancipuar: me paratë e tij pati ngritur kishën e qytetit, faltoren në të cilën do të kryenin ritet e besimit të krishterë banorët ortodoksë të atij qyteti të ri. Prej këtij veprimi çlirues qenë mahnitur dhe mbetur pa gojë tërë grupi i priftërinjve që shërbenin në Manastirin e Ardenicës, më të madhes qendër institucionale të asaj feje jo vetëm në fushën e Myzeqesë, por në të tërë Shqipërinë e Mesme e përtej. Qehajai shumë besnik Muhamet Poli Një mall i ndezur për takim i depërtonte në krahasor dhe bënte që t’i rrihte fort zemra, për Polin, qehajanë e familjes Këlcyra. Ai, sapo ajo kishte lindur, i erdhi në Paris për ta parë e për t’iu gëzuar pasardhëses së re të dinastisë. Poli qe një fshatar nga Katundishta dhe pati hyrë në derën e Këlcyrajve si qehaja shumë vite të shkuara. Kur mbreti Zog në mesin e viteve tridhjetë nxori nga burgu Muhamet beun, të parin e familjes, të cilin e pati futur në birucë për bashkëpunim me grupe politike që donin ta rrëzonin, ky i thirri të katër qehajallarët që kishte dinastia dhe u bëri të ditur se tashmë, i dëmtuar prej burgimit, por edhe nga dy konflikte të mëparshme me qeverinë e Zogut, nuk qe më në gjendje t’i mbante financiarisht. Muhamet Poli, qehajai i katërt dhe më i riu i tyre, madje fare i njomë në moshë, tha se nuk do të ikte. “Nuk di të bëj punë të tjera”, pohoi çiltërsisht. Kur lindi Hana, Poli i kërkoi Muhamet beut 40 napolona flori borxh dhe udhëtoi për në Paris për të parë të voglën e Ali Këlcyrës dhe të Advije Dudush hanëm Vrionit. Pasi e pa dhe e qafoi butësisht dhe i puthi duart, shkoi në jug, në Montpeljé, në qytetin ku Enver Hoxha, me bursë të plotë nga shteti i vet, pati lënë pa kryer studimet e tij të larta për biologji. |