Argumentat qesharakë të Bashës, që nuk i beson më as partia e tij

381

bashaRezultati i Dibrës ishte një shuplakë e fortë për Partinë Demokratike dhe veçanërisht për kryetarin e saj Lulzim Basha. Aq e fortë ishte kjo votë kundër që i dhanë dibranët Bashës saqë ai nuk u përmbajt dot ndaj tyre, duke i fyer rëndë ata. Kjo si e vetmja rrugë për të shpëtuar tundjen e themeleve të tij në parti. Me argumenta shterpë, Basha delegoi fajin e humbjes nga vetja te qytetarët dibranë.

Nuk ngurroi t’i quajë kultivues doge, trafikantë e banditë të gjithë ata që nuk votuan për Partinë Demokratike. Mbi 18 mijë qytetarë që nuk i besuan atij. Nga 15022 vota që ishin kundër Bashës në 2015-tën, në 11 shtator 2016 u bënë 18 597 vota kundër tij në Dibër. Dhe fajtor për këtë shpartallim të PD-së, sipas Bashës janë qytetarët. Të cilët sipas tij nuk po arrijnë ta kuptojnë se sa burrë i mirë e vizionar është Basha. Kjo retorikë boshe ku fyhet populli që nuk të beson asnjë fjalë, është rrjedhimisht tregues mungese vizioni. E cila ka sjellë dështime të njëpasnjëshme që herë konsiderohen si fitore e herë si një shprehje “Popull budalla që nuk e kupton se sa të mira mund të sjellë Basha”.

Banaliteti i argumentave të Bashës për të evituar barrën e rëndë të disfatave të njëpasnjëshme është ajo që në fakt populli e kupton më së miri dhe këtë e tregon me votë kundër në çdo betejë elektorale. Mungesa e një alternative reale e ka lëshuar Bashën në batakun fatal, atë të sulmin ndaj qytetarëvë që sipas tij “se kuptojnë atë”.

Mirëpo sot, dikush e ka trazuar “argumentin” e Bashës dhe ka tentuar ta kthejë me këmbë në tokë, duke i kujtuar atij disa të vërteta të thjeshta. I kanë kujtuar se faj nuk ka populli që nuk beson asnjë fjalë të Bashës as kur premton e as kur sulmon, por se ai nuk ngjall shpresë as te demokratët, as te shqiptarët. Deputetët Eduart Selami dhe Majlinda Bregu gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së sot kanë qenë të revoltuar, duke i thënë në sy këtij të fundit ca të vërteta që në fakt ja thanë edhe dibranët me votë.

Kështu deputeti  Eduard Selami ishte i qartë dhe i prerë në argumentin e tij kundër Bashës kur u shpreh: “Z.Kryetar, duhet analizuar me hollësi humbja e zgjedhjeve në Dibër. Kemi humbur prej gabimeve tona. Kërkoj mbledhjen e Këshillit Kombëtar, për të diskutuar lidershipin e PD. Janë katër humbje radhazi dhe nuk është bërë asnjë analizë. Nuk mund të shpjegohen humbjet vetëm me blerjen e votave.”

Që do të thotë se përrallat e Bashës me demonizime ndaj qytetarëve  që se kuptojnë atë sa i mirë e vizionar  është, janë thjeshtë dhe vetëm një dëshmi fataliteti ku PD është zhytur në fakt nga mungesa e vizionit dhe besimit.

E si për ta plotësuar panoramën e argumentit ka folur deputetja Majlinda Bregu, e cila i ka treguar edhe njëherë Bashës se PD-ja është në ditën e saj më të keqe dhe se argumentat e tij janë fatalizma. Duhet të flasim hapur me njëri-tjetrin. Të flasim hapur se jemi në konfuzion total. A dini z.Kryetar që degët tona janë në bjerrje totale? Do vijojmë të themi, na vranë, na vodhën. Ky është fatalizëm.”, ka thënë Bregu.

Është mëse e qartë se Bashën nuk janë vetëm shqiptarët që nuk e besojnë, por edhe vetë grupi i tij parlamentar. E nëse populli shpallet “budalla”, nuk mund të thuash për deputetët e grupit tënd parlamentar që ndajnë me ty të njëjtin qëllim dhe vizion. Por mesa duket, aty nuk ka as vizion, as alternativë, as shpresë, e rrjedhimisht nuk mund të ketë kurrësesi as besim.

Kështu, duke qenë i pabesueshëm si për popullin dhe për deputetët e tij, Bashës i bie çdo argument. Është thjeshtë dhe vetëm fatalizëm, siç u shpreh dhe Bregu./ Lexo.al

Comments