Nxënësit bojkotojnë mësimin: Duam furgon të shkojmë në shkollë

165

80 nxënës të shkollës “Petro Poga” në fshatin Valare në Gjirokastër, të mbështetur nga prindërit e tyre kanë bojkotuar këtë të mërkurë procesin mësimor.

Ata kërkojnë prej Bashkisë së Gjirokastrës që të marrë masa për transportin e fëmijëve në shkollën që ndodhet 3 km larg fshatit. Prindërit thonë se nuk kanë mundësi të shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë, ndërkohë që kalimi në rrugën automobilistikë është i rrezikshëm për shkak të ngarkesës me trafik të kësaj rruge.

Drejtoresha e shkollës “Petro Poga”, që grumbullon nxënës nga të 10 fshatrat e njësisë administrastive Lunxhëri, pohon se mungesa e këtyre nxënësve cënon edhe procesin mësimor.

“Nxënësit erdhën privatisht, por është shumë problematike sepse fshatrat këtu janë të përhapur dhe fshati më i largët është 8-10 kilometra. Unë kam kërkuar mbështetje, por më kanë thënë që në bazë të ligjit, fshati Valare nuk është”, thotë drejtorja e shkollës, Nezi Rustemi.

Shkolla 9-vjeçare “Petro Poga” frekuentohet nga 150 nxënës të ciklit prashkollor deri në klasën e 9-të, 80 prej të cilëve vijnë pikërisht nga Valarea. Ky është viti i parë, sipas banorëve që është vendosur heqja e transportit shkollor./TCh/

 

Comments