Arrestohet në mes të Tiranës turku që u arratis nga Rinasi. Policia: Po hetojmë shkaqet
Policia ka kapur turkun që u arratis nga tranziti i aeroportit të Rinasit në datën 8 gusht 2016.
Kapja e shtetasit turk është bërë nga Policia Kufitare e Rinasit pranë zonës së Muzeut Kombëtar Tiranë.
Në bazë të punës operative të Komisariatit të Policisë Rinas, më datë 13.08.2016, rreth orës 12:30 u bë kapja e shtetasit Turk I.E 28, vjeç.
I.E. më 08.08.2016, rreth 15:00 u largua nga Zona e Tranzitit Rinas gjatë kohës kur po i plotësoheshin dokumentet e prapësimit pasi i ishte refuzuar hyrja ne territorin e Shqipërisë, sepse nuk plotësonte kushtet e udhëtimit dhe të hyrjes në mënyrë të rregullt në Republikën e Shqiperisë.
Nga verifikimet e kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike, rezulton se ky shtetas ka përfituar nga fluksi i pasagjereve në dalje dhe rreth orës 15.00 ka realizuar hyrjen në mënyrë të paligjshme nê territorin e Shqipërisë.
Po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe arsyet e largimit nga Aeroporti Rinas në ditën e ngjarjes së këtij shtetasi, pasi ky shtetas nuk kishte probleme me Drejtësinë dhe për këtë po punohet mbi zbardhjen e shkaqeve që e shtynë këtë shtetas për tu larguar në këtë mënyrë.