Artistë dhe sportistë shqiptarë, më 3 shtator, në Vatikan

171

 

Moebel THEMA

rita12-535x396

Figura eminente nga skena shqiptare e artit dhe sportit do të performojnë në koncertin “Himni i Nënë Terezës”, i cili do të mbahet më 3 shtator në Vatikan. Artistët shqiptarë me famë botërore, si: Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Zajmir Pirgu, Ramë Lahaj e Gëzim Mushketa, do të paraqiten me pika muzikore, kurse kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e Nënës Terezë “Dua të kthehem në Shqipëri”. Në këtë ceremoni, ndërkaq, do të marrë pjesë edhe xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, si dhe dy aktorët e rinj nga Prishtina, Lum Veseli dhe Andi Bajgora, shkruan albinfo.

Producentja nga Prishtina, Diana Toska, e cila në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës dhe Filarmoninë dhe Operën e Kosovës po punon në organizmin e këtij koncerti, ka thënë se pjesëmarrja e këtyre artistëve në koncertin kushtuar Nënë Terezës do ta nderojë jo vetëm veprën e Nënë Terezës, por edhe mbarë kombin shqiptar.

“Këta solistë, të cilët janë nderi i kombit tonë, kanë pranuar të vijnë dhe ta japin kontributin e tyre pa honorar. I kam kontaktuar qysh në fund të marsit dhe fillim të prillit dhe qysh nga atëherë janë të gatshëm që më 3 shator të jenë me ne”, ka thënë Toska.

Dy javë më parë Qeveria e Kosovës, me një vendim të veçantë, i ka ndarë 300 mijë euro për aktivitetet lidhur me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Ndryshe, Papa Françesku ka firmosur dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe ceremonia e shenjtërimit do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit. Sipas këtij vendimi, Nënë Tereza do të jetë shenjtëri ditën e diel, më 4 shtator të vitit 2016 dhe do të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Data 4 shtator do të shënohet në Kalendarin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Comments