Barça: Bartomeu nga akuzat, te Messi e Verratti

304

Nga akuzat se po mundohet të fshehë shkeljet e bëra ndër vite te Barcelona, te rinovimet e rëndësishme të yjeve katalanë dhe objektivat e merkatos. Presidenti i “blaugranave” Josep Maria Bartomeu ka analizuar gjithçka rreth situatës në skuadër. Fillimisht ai ka folur rreth zërave se do të japë dorëheqjen, pas zbulimit të një përgjimi telefonik me ish-presidentin Rosell, i cili e informonte dhe i kërkonte të fshihte disa nga operacionet që u shoqëruan me arrestimin e tij dhe burimin në Brazil.

“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen. Kam përgjegjësi ndaj anëtarëve të Barçës që më votuan dy vjet më parë për të vijuar projektin. Me Rosell flasim në telefon dhe e kam mik. Më vjen keq për atë që i ka ndodhur, por ajo çështje lidhet vetëm me planin personal dhe nuk ka të bëjë me klubin. Kemi kontrolluar çdo dokument dhe nuk kemi të dhëna që dënimi i ish-presidentit ka dëmtuar klubin.”

Rinovimi i Lionel Messit, që pritet të vijë pas disa ditëve, është tema më e rëndësishme te Barcelona. Presidenti zbuloi edhe prapaskenat e negociatave.

“Ronaldinho solli buzëqeshjen dhe magjinë, ndërsa Messi artin dhe gjenialitetin. Leo ndryshoi konceptin dhe imazhin e klubit në botë. Negociatat për rinovimin nisën disa muaj më parë. Ai më tha: ‘Dua të qëndroj, flisni me babain tim’. Messi është lojtari më i mirë në botë dhe do të bëhet më i miri në histori. Nuk kam dyshuar asnjëherë te vullneti i tij për të qëndruar, edhe pse do të doja që rinovimin ta anonçonim disa muaj më parë.”

Çështje të tjera të rëndësishme lidhen edhe me rinovimin e Iniestës, ofertat për Neymar apo edhe interesimin e Barcelonës për fantazistin italian, Marco Verratti.

“Iniesta është një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin dhe duam që të qëndrojë. Andres i garanton skuadrës ekuilibër dhe trajneri Valverde e cilëson thelbësor për lojën. Neymar? Nuk do ta shesim në asnjë rast dhe për asnjë çmim. Për sa i takon Verrattit e kemi të qartë që dëshiron të luajë te Barça, por Paris Saint Germain nuk dëshiron ta shesë dhe për këtë arsye nuk kemi biseduar me lojtarin.”

Comments