Brahimaj për demarkacionin: Koalicioni s’i ka vota, do të shtyhet seanca!

Seanca e 1 shtatorit ku pritet të votohet Marrëveshja e Kosovës dhe Malit të Zi për vijën kufitare mund të shtyhet për një datë tjetër, kjo pasi koalicioni nuk është duke arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme, kështu ka deklaruar për “Indeksonline”, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj.
Brahimaj thotë se dëshmi për qëndrim kundër kësaj çështje kanë shprehur edhe shumë deputetëve të koalicionit (PDK-LDK). Sipas tij, ata janë të konfirmuar që nuk do të votojnë këtë version të vijës kufitare.
Deputeti i AAK-së fakt tjetër për shtyrje të seancës e konsideron edhe mbledhjen e nesërme të Këshillit Drejtues të PDK-së, e cila parti, sipas tij, nuk po arrin t’i bind deputetët ta votojnë këtë version.
“Thaçi e Mustafa e dinë që nuk i kanë votuat pasi arsyeja që është shty deri me 1 shtator ishte që të bëhet presion mbi deputetë e partive të veta dhe me kalu. Por, faktikisht votat nuk i kanë dhe unë prapë mendoj se do ta shtyjnë edhe për një afat tjetër. Siç e dini, Kadri Veseli ka thirr Këshillin Drejtues të PDK-së për datën 30 që t’i bëhet presion deputetëve që të votohet”, ka thënë ai.
Deputeti nga radhët e AAK-së ka komentuar edhe raportimin e djeshëm të medieve të Podgoricës lidhur me vendosjen e Njësive Speciale të Malit të Zi afër kufirit me Kosovës. Sipas tij, nëse rastësisht hapet një konflikt në mes të dy shteteve, përgjegjësia direkt do të bie mbi presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Republikës, Isa Mustafa.
“Në qoftë se është ratifiku në dy anët atëherë është një marrëveshje që duhet të vendoset një pikë kufitare, nëse tek ne nuk është bërë ratifikimi në Parlament atëherë ky është një provokim i hapur nga malazezët. Unë s’po du me besu që ata janë të interesuar me hap një konflikt të ri por gjithë përgjegjësia bie mbi presidentin dhe kryeministrin që po i nxitin këto situata”, ka thënë ai. /Indeksonline/