Ekskluzive/ Dëshmi nga burgu i Lezhës: 1 i vdekur, 8 të plagosur
Për pasojë ka një viktimë në Lezhë, dhe 9 të plagosur, respektivisht: 1 i plagosur me armë në Vaqarr dhe 8 të plagosur nga zjarrvënia në Lezhë.
***
Opinion.al ka arritur të zbardhë dëshminë e njërit prej të burgosurve në Lezhë, që ka parë nga afër ngjarjen e rëndë.
Referuar dëshmisë së tij, mësojmë se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe gardianët kanë vepruar me vonesë, për pasojë ka patur dhe viktima.
Kështu rreth orës 16:00 në godinën nr.1 të burgut të Shënkollit (Lezhë), ku qendrojnë të paraburgosurit ka pasur një konflikt të mbartur prej ditësh mes dy grupesh.
Sot situata ka agravuar. Disa të burgosur nga dhoma nr.5 e godinës 1 kanë hedhur një bombul gazi të ndezur në dritaren e dhomës nr.8 të katit të dytë të së njëjtës godinë. Nga dhoma është parë të dalë tym e flakë për të paktën 40 minuta.
Siç rrëfeu i burgosuri për Opinion.al, dhoma nuk është hapur nga gardianët pasi ka pasur urdhër nga drejtori që të mos kryhet asnjë veprim pa lejen e tij. Në këto kushte, njëri prej të paraburgosurve konkretisht, Fatmir Sulaj nga fshati Mali i Bardhë i Milotit ka humbur jetën. 8 të burgosur të tjerë janë asfikësuar dhe kanë marrë plagë djegieje dhe po trajtohen në spital.
Sakaq situata në burg aktualisht është tejet e tensionuar. Të gjithë të burgosurit e godinës nr.1 po qendrojnë në oborr, në vendin e ajrimit. Të burgosurit po protestojnë për ngjarjen dhe për mungesën e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Forca të shumta policie dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar burgun e Shënkollit në Lezhë. Policia ende s’ka dhënë asnjë informacion mbi personat përgjegjës të kësaj ngjarje dhe autorin e zjarrvënies.
Ndërkohë në linkun më poshtë gjeni lajmin për ngjarjen tjetër të rëndë ndodhur po sot pasdite në burgun e Vaqarrit në Tiranë.
/Opinion.al