Ekspozohet vetura e komandant Kumanovës
Malishevë/Kleçkë, 26 gusht – Në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Brigadës 121 të UÇK-së “Ismet Jashari-Kumanova”, në Kleçkë, të enjten, është ekspozuar vetura e Komandant Kumanovës.
Ky ekspozim i veturës është përcjellë me homazhe në varrezat e dëshmorëve të kombit, si dhe me përurimin e librit “Në çdo lis një sy shqiponje”, kushtuar togut të artilerisë së Brigadës 121, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këto aktivitete janë mbajtur në kuadër të shënimit të Ditës së Brigadës 121, e cila mbante emrin e Komandant Kumanovës. Ai, bashkë me luftëtarë të tjerë, ra më 25 gusht të vitit 1998, në vargmalet e Berishës.
Në këtë ditë të shënuar për Brigadën 121, u bë edhe promovimi i librit monografi “Në çdo lis një sy shqiponje” me autor Arsim Krasniqi, Nasuf Gashi dhe Hasan Maksuti, kushtuar togut të artilerisë së Brigadës 121 “Kumanova”.