Ervin Bushati: Pak shpirtra të gjallë e dinë tragjedinë e madhe të Çamërisë

Deputeti socialist: Si e njoha historinë e Çamërisë përmes gjyshit tim përfaqësues i Shqipërisë në Delegacionin Ndërkombëtar për genocidin në Greqi, në vitin 1947
“E njoha çështjen çamë qysh kur isha fëmijë përmes rrëfimeve të gjyshit tim, në atë kohë Zv. Ministër i Brendshëm, përfaqësues i Shqipërisë në Delegacionin Ndërkombëtar për gjenocidin në Greqi”, kështu shkruan deputeti socialist Ervin Bushati, i cili ka një dedikim për gjyshin e tij dhe të gjithë patriotët që bënë përpjekje maksimale për të kërkuar të drejtën për popullsinë e Çamërisë. Përmes një mesazhi në facebook, Ervin Bushati jep detaje për Komisionin Ndërkombëtar dhe përfaqësinë shqiptare në OKB, me platformë të zgjeruar, ku kumtoheshin krimet dhe barbarinë e armatave të Zervës ndaj popullsisë Shqiptare të Çamërisë. Bushati e rrëfen atë çfarë ka mësuar prej gjyshit të tij, rreth barbarive grekë ndaj popullsisë së Çamërisë.
Mesazhi
Pak nga ne e mbajnë mend vitin 1947: një Komision Ndërkombëtar, dhe me përfaqësi shqiptare zhvillonte takime për çështjen çame. Komision me platformë të zgjeruar, kumtonte krimet dhe barbarinë e armatave të Zervës ndaj popullsisë Shqiptare të Çamërisë.
Por a do t’i lejonte Shqiptarët pala greke të shkelnin në skenën e krimit?
Komisioni shqiptar do paraqiste dëshmi të regjistruara, nga të mbijetuarit që kishin përjetuar tragjedinë e Madhe. Madje kishte siguruar edhe dokumente të siguruara nga të infiltruarit që vepronin ilegalisht në Greqi. Mbi të gjitha, kërkuan me NGULM që bisedimet të zhvendoseshin pikërisht aty ku kishte ndodhur gjenocidi: në Igumenicë dhe Filat.
Pak shpirtra të gjallë e dinë realitetin e vuajtjeve dhe të vërtetën e madhe çame. Në teatrin e masakrës ndodhën gjëra të tmerrshme: qytete të bombarduara, fshatra e shtëpi të rrënuara, pyje e vreshta të djegura. Asnjë shenjë jete! Kush kishte mundur ti mbijetonte barbarisë ishte dëbuar me dhunë e ishte deportuar në Shqipëri.
Çështja çame për shumë nga NE vjen prej historisë: për mua vjen që fëmijë përmes rrëfimeve të gjyshit tim, në atë kohë Zv. Ministër i Brendshëm, përfaqësues i Shqipërisë në Delegacionin Ndërkombëtar për gjenocidin në Greqi. Pavarësisht rezultatit, të kushtëzuar nga rrethana të politikave botërore të asaj kohe, puna e Patriotëve shqiptarë në Komision është një përpjekje e paçmueshme për ti dhënë zgjidhje çështjes çame.
Krenar për gjyshin tim: dedikoi Jetën, Luftën dhe Punën problemeve madhore të vendit të tij, dhe që më ushqeu me patriotizëm dhe atdhedashuri që në vegjëli”, shkruan deputeti socialist.