Fleckenstein: Nëse zgjidhet “vettingu”, ja kur caktohet data për negociatat

157

Fleckenstein: Nëse zgjidhet “vettingu”, ja kur caktohet data për negociatat

Eurodeputeti, Knut Fleckenstein, deklaron se pa procesin e rivlerësimit, e gjithë reforma në drejtësi është në dyshim.

Në një intervistë për Ora News publikuar sot, Fleckenstein deklaron se nëse problemi me “vettingun zgjidhet”, “problemi zgjidhet me procesin e rivlerësimit, mund të ketë një mundësi që të caktojnë një datë dhe kjo mund të jetë në fillimin e vitit tjetër ose ndoshta pas zgjedhjeve dhe të japë një shenjë të qartë se nuk do të ketë më nevojë për ndonjë vendim tjetër të Këshillit”.

Për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, Fleckenstein vlerëson se test do të jenë zgjedhjet e 2017.

Intervista

Zoti Fleckenstein, është një ditë e mirë për Shqiëprinë, rekomandimi për t’u hapur negociatat?

Mendoj se është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë. Është një rekomandim i qartë për të hapur negociatat.

Por është e kushtëzuar?

Po, sigurisht ka një kusht sepse komisioni kërkoi hapjen e negociatave për shkak të reformës në drejtësi por një pjesë shumë shumë e rëndësishme ka ngecur tashmë. Siç dihet Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias t’i hidhte një sy ligjit të rivlerësimit, siç e kanë bërë njëherë, por tani do e bëjnë sërish. Sigurisht do të na duhet të presim se cili do të jetë rezultati. Pa procesin e rivlerësimit, e gjithë reforma në drejtësi është në dyshim. Pra kjo duhet bërë dhe nëse puna e zakonshme fillon për të zbatuar, do të jetë vetëm çështje kohe kur negociatat të hapen.

A mendoni se ka ndonjë mundësi që Këshilli i BE në dhjetor të mund të japë një datë se kur mund të hapen negociatat?

Nëse problemi zgjidhet me procesin e rivlerësimit, mund të ketë një mundësi që të caktojnë një datë dhe kjo mund të jetë në fillimin e vitit tjetër ose ndoshta pas zgjedhjeve dhe të japë një shenjë të qartë se nuk do të ketë më nevojë për ndonjë vendim tjetër të Këshillit.

Përsa i përket prioriteteve të tjera, reformave që vendi duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave, si ka ecur Shqipëria?

Në përgjithësi është një rezultat i mirë veçanërisht kur bëhet fjalë për shërbimet publike apo reformat për të. Ka akoma probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin por mendoj se reforma në drejtësi është themeli nga ku mund t’ia nisni për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kriminelët e tjerë, që nuk duhet të jenë në listat e zgjedhjeve por kjo ka të bëjë me dekriminalizimin për të cilin kemi folur shpesh. Dhe tani gjatë zgjedhjeve të tjera, partitë duhet të provojnë nëse e kanë me të vërtetë apo janë thjesht fjalë të bukura.

Për të folur për dekriminalizimin dhe procesin, zbatimin e ligjit. Partia opozitare ka ende disa rezerva dhe kërkon që të bëhet më shumë për këtë çështje. Përse mendoni se nuk ka rezultate të qarta në zbatimin e dekriminalizimit?

Nuk e di. Ne këtu në Bruksel themi gjithmonë: Objektivi ynë kur e shohim se çfarë po ndodh me të vërtetë, do të jenë zgjedhjet e vitit 2017, dhe shpresoj që do të jenë në përputhje me rekomandimet e ODIHR, shumë më të mira se herën e fundit.

Lufta kundër drogës, trafikut janë një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita. Sa e shqetësuar është BE për situatën e kultivimit të kanabisit?

Mendoj se është shumë e vështirë për ne si parlamentarë për të parë se si është situata në të vërtetë. Ne shohim se ka një mënyrë më të mirë me të cilën po përballet, në kuptimin e shkatërrimit të parcelave dhe kundër trafikut por nga ana tjetër dëgjoj se ka më shumë parcela se ç’kishte më parë. Kështu që na duhet të flasim më shumë me miqtë tanë italianë për të marrë më shumë detaje për këtë dhe më pas mund të vlerësojmë gjendjen. Në parim ne nuk na pëlqen kanabisi.

Rekomandimi për hapjen e negociatave është më shumë si një shpërblim për partitë politike apo është më shumë punë për të bërë?

Është një pyetje e bukur. Do të thosha se janë të dyja. Është një shpërblim për atë që është bërë, reformat të paktën tashmë janë në letër, të gjitha partitë, së pari qeveria por gjithashtu i gjithë parlamenti ka rënë dakord për këtë por gjithashtu është më shumë punë sepse do t’ju duhet të filloni me zbatimin e tyre me të gjitha gjërat dhe të ashtuquajturat nene dhe kjo është shumë, me të vërtetë shumë punë. Duhet të jemi të duruar nga njëra anë por të vendosur nga ana tjetër.

Comments