Forcat turke bombardojnë ISIS-in

297

Turqia ka ndërmarrë një aksion të ashpër bombardimesh ndaj “Shtetit Islamik” në veri të Sirisë, ndërsa raportohet se rebelët sirianë janë gati të nisin një ofensivë kundër këtij grupimi terrorist…Ankaraja përdori pozicionet e saj të artilerisë brenda kufirit turk për të bombarduar “Shtetin Islamik”, por edhe pozicionet e milicive kurde YPG në qytete kufitare siriane Jarablus dhe Manbij.
Ndërkohë, mediat raportojnë se rreth 1500 rebelë sirianë, të mbështetur nga Turqia, gjenden në qytetin kufitar turk Gaziantep dhe janë gati që të hidhen në sulm.
Reprezalja turke pason sulmin kamikaz që i kushtoi jetën 51 personave në një dasmë po në këtë qytet.
Analistët, ndërkohë, thonë se sulmi kamikaz mund të ketë qenë një reagim i “Shtetit Islamik” ndaj ofensivës që po përgatitet kundër militantëve brenda kufirit turk.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavuçoglu, ka deklaruar se kjo organizatë terroriste duhet të spastrohet plotësisht nga veriu i Sirisë.
Por, predhat turke ranë edhe mbi luftëtarë kurdë të cilët luftojnë kundër “Shtetit Islamik”, por gjithashtu konsiderohen si armiq nga Turqia.
Sipas Ankarasë, milicitë kurde YPG, që i kanë shkaktuar shumë dëme terroristëve në Siri, janë krahu ushtarak i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një grup rebel që lufton për autonomi brenda Turqisë që prej viteve 1980.
Comments