Fragmentimi i brendshëm dhe dobësimi i përfaqësimit politik!
Një çerek pushteti që VMRO dhe kryeministri ua ka ndarë partnerëve shqiptarë në koalicionin, sot rrezikon të copëtohet edhe më tej në pazare të brendshme politike.
Brenda këtij konfigurimi veprojnë disa faktorë: dy më të mëdhenj që synojnë ta dominojnë hapësirën politike , dy më të vegjël që kërkojnë barazi formale në ndarje, dhe të tjerë që pothuajse nuk përmenden, por shpresojnë se koha dhe zhurma në rrjete sociale do t’ua rrisin peshën.
Në këtë “matematikë” pushteti, logjika e përfaqësimit është zëvendësuar nga logjika e përfitimit. Sipas kësaj ndarjeje joformale, dhe përfitojnë pjesën dërrmuese të ndikimit institucional, ndërsa pjesa tjetër mbetet të ndajë një segment shumë më të vogël, kryesisht në poste, punësime dhe interesa të ngushta partiake.
Por thelbi i angazhimit politik nuk ka qenë ndarja e posteve. Ai ka qenë përfaqësimi real i shqiptarëve, avancimi i të drejtave të tyre dhe ndërtimi i një pozicioni të barabartë në shtet.
Sot shtrohen disa pyetje legjitime: Ku mbetën reformat e premtuara? Ku është barazia që u artikulua si kauzë? Ku janë ndryshimet kushtetuese për të cilat u kërkua besimi i qytetarëve? Dhe mbi të gjitha, ku është vizioni për integrimin e denjë në Bashkimin Evropian?
Në vend të një platforme të përbashkët, po shihet një garë e brendshme për ndikim. Në vend të konsolidimit politik, po ndodh fragmentim. Në vend të përfaqësimit kolektiv, po dominojnë interesat grupore.
Historia politike ka treguar se pushteti i ndarë në shumë copa humb fuqinë për të prodhuar ndryshim. Sepse buka që thyhet shumë herë, vështirë se bashkohet më.

