Gjenden mjete të pashpërthyera në Drenas, Lipjan dhe Gllogoc
Ditën e kaluar në territorin e Kosovës në tre raste janë zbuluar mjete zjarri të pashpërthyera që mendohet se janë që në kohën e luftës. Policia e Kosovës bën të ditur se në Gllogoc, Lipjan dhe Drenas janë zbuluar disa granata dore që janë konfiskuar nga policia dhe dy mjete të cilat më pas janë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar, shkruan Gazeta Express.
Policia njofton se “ Dje në orën 14:00 në Gllogoc i dyshuari mashkull K/Shqiptar është paraqitur në stacionin policor dhe i njëjti ka raportuar se para 17 viteve në oborrin e shtëpisë së tij ka gropuar tri mjete të dyshuara-granata dore. Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes ndërsa njësiti për deminim i KFOR-it dhe FSK-së kanë bërë tërheqjen e mjeteve të dyshuar-granata dore në mënyrë të sigurt.”
Ndërsa po në të njëjtën ditë në Lipjan në orën 12:20, Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se në oborrin e tij ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer që dyshohet të jetë i kategorisë A6.
“Njësiti për deminim i FSK-së ka bërë shpërthimin e mjetit të dyshuar në mënyrë të kontrolluar ” thuhet në komunikatë.
Ndërkaq në këtë ditë një ngjarje tjetër është raportuar në Drenas.
“Në orën 19:20. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se në mal ka hasur në një mjet të dyshuar. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshuar” njofton Policia e Kosovës.