Gratë, këto viktima të dyfishta

401

 

evis nastoo

Mësoje tani dhe mësoje mirë, vajzë. Si gjilpëra e busullës që shënon veriun, kështu dhe gishti akuzues i njeriut gjen gjithmonë një grua për të fajësuar. Gjithmonë. Mbaje mend…

Nga Evis Nasto

Nuk ka nevojë të jesh nga vendi i lindjes së shkrimtarit afgan Khaled Hossein që të mbash mend këtë togfjalesh e t’i gjesh kuptim, edhe nëse jeton në Shqipëri. Gratë janë fajtore edhe kur janë viktima të dhunës, të ngacmimit seksual, madje edhe kur  ato vriten. I tillë ishte fati i Jonida Çanakut, 27 vjeçares nga fshati Kryekuq i Divjakës. Vajza që u vra nga dora e të dashurit të saj 65 vjeçarit, Sokrat Shani, ishte fajtore jo vetëm për ekzekutuesin e saj që e akuzonte (me gjasë) për tradhëti, por edhe për familjen, banorët e fshatit dhe gjithë mendësinë e mykur të kësaj shoqërie, që maskën e të qenurit bashkëkohore e hedh poshtë sa herë që shfaqen histori të tilla, të gatshëm për të paragjykuar. Një diferencë prej 38 vitesh mes dy partnereve nuk mund të përtypej në familjen e vajzës ndaj dhe arkivoli i 27 vjeçares u mbulua me baltën e turpit, ndërsa xhelati, që e deshi aq sa për të menduar se kishte të drejtë t’i merrte dhe jetën, u përcoll në  banesën e fundit për atë që ishte ne sytë e të gjithëve: një burre i nderuar, i cili  kishte arritur të rifillonte jetën nga e para me një vajzë shumë herë më të re. “Fundja burrë është” – e justifikonin banorët e zonës, e si burrë i legjitimohen të gjitha, ndërsa i ati i vajzës as nuk e kishte parë për herë të fundit trupin e së bijës, e cila i turpëroi, sepse zgjodhi të jetonte jetën e saj derisa ia lejuan.

Kjo shoqëri pseudo-puritaniste fsheh në gjirin e saj një larmi paradoksesh që i japin moralit dritëhije të ndryshime kuptimore. Prej saj vjen edhe gjyqtari, Shyqyri Çobo që pak kohë më parë u bë i njohur për mesazhet e tij të dërguara një 33 vjeçareje, të cilën po mundohej ta bindte për të qenë “mikesha e tij konseguente”. Në funksion të bindjes gjyqtari arriti deri aty sa e cilësoi refuzimin e zonjës në fjalë si “provincial dhe me mentalitet fshataresk”, duke i sugjeruar që në përgjigjie të kohës që evolon, duhej të shfaqej me elokuente ndaj kërkesës së tij. Është e vërtetë, ajo çka vinte në dukje 60 vjeçari përparimtar, koha evolon, por jo aq sa për të shpëtuar nga paragjykimi 33 vjeçaren. Gishti i akuzës gjeti kurajon të ngrihej edhe në këtë rast kur përndjekësi ishte një gjykatës që shfrytëzonte vendin e tij të punës, bashkëshort i një gruaje, baba i dy femijëve dhe gjysh, ndërsa viktima e ngacmimit seksual ishte nje grua e shkurërozuar. Gjuhëgjatët pa emër shpreheshin të sigurtë se gruaja do e kish tunduar gjykatësin aq sa për t’i bërë që të linte mendjen duke ekspozuar dukshëm qëllimet e tij, sepse “gishti akuzues-siç shkruan Hossein- gjen gjithmonë një shkak për të fajësuar një grua”.

Edhe pse në rrjedhën e historisë, gratë kanë arritur të fitojnë shumë beteja ligjore duke siguruar të drejtën e votës, të shkollimit, të abortit, të divorcit dhe gjithçka që i mundëson të jetojë në këtë botë si qenie e lirë, ato ende nuk kanë mundur fitojnë betejën me mentalitetin. Ekzistojnë shumë burra sot, përfaqsues të shoqerisë civile, diplomatë, politikanë madje dhe krerë shtetesh që vetëshpallen si feminist, pra si itharë të lëvizjes promotore të të drejtave të grave, por kjo është vetëm njera anë e medaljes, ajo që zgjedhin të bëjnë publike në media e rrjetet sociale. Ana tjetër e medaljes, e vërteta dhe njeherësh më e hidhura, është ajo që pëshpërtitet nga shumica e shoqerisë nën ze brenda mureve të shtëpisë, të zyrave nëpër administrata, mes  tavolinave të kafeneve, kudo ku përfliten ato-gratë që marrin guximin të dalin përtej kornizave të mentalitetit të kësaj shoqërie, që u ka lejuar të mbajnë vetëm makiazhin e modernizmit, por thellë-thellë nuk u ka hequr ende damkën e paragjykimit, rrënjët e së cilës e njollosin me mëkat gruan, madje dhe nëse nuk ka kryer mëkat,  madje edhe kur shpirti i saj kalon në boten tjetër…

 

Comments