Harmonizimi i njësive zgjedhore, Kadriu: shpallja e zgjedhjeve, e jashtëligjshme
Vetëshpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor pa harmonizimin e njësive zgjedhore, paraqet shkelje kushtetuese dhe shkelje të Kodit Zgjedhor, thotë eksperti juridik, Osman Kadriu.
Marrë parasysh këtë fakt, në tërësi procesi zgjedhor dhe rezultatet e arritura nga procesi zgjedhor më datën 11 dhjetor të këtij viti mund të kontestohet në tërësi, thekson Kadriu.
“Kishte iniciativë, kishte kërkesë, kishte propozim, duke filluar nga KShZ, por, mjerisht, Parlamenti, edhe pse iniciativa ishte shumë e qartë, nuk e miratoi këtë ligj për intervenim në Kodin Zgjedhor. Kështu siç është vepruar deri tani, në përfundimin e zgjedhjeve, nëse mbahen, edhe pse dyshoj se do të mbahen, mund të kontestohet i gjithë procesi zgjedhor me theks të veçantë për njësinë zgjedhore numër gjashtë, dhe nëse kontestohet organet përkatëse, të cilat janë përgjegjës për ligjshmërinë e procesit zgjedhor, duhet të marrin vendime konkrete”,- deklaroi profesori universitar, Osman Kadriu.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka quajtur mangësi të partive në pushtet shpërbërjen e Parlamentit pa vendim përfundimtar për njësinë zgjedhore numër gjashtë. Sipas tij, i takonte VMRO-së dhe BDI-së të pranonin propozimin e LSDM-së për një njësi të vetme zgjedhore ose të dakordoheshin mes tyre për njësitë aktuale dhe opozita do të pranonte çdo vendim.
Konform njoftimit të KShZ-së dërguar Kuvendit të RM-së, vetëm njësia numër gjashtë tejkalon pragun ligjor mbi 5% nga mesatarja e numrit të votuesve.
Megjithatë, është e dukshme se edhe njësitë zgjedhore dy, tre dhe katër, edhe pse janë brenda normave ligjore, janë në kufijtë e pragut të lejuar.
Ndryshe, paragrafi i shtatë i nenit 4 të Kodit Zgjedhor thotë: “Në njësitë zgjedhore në Republikën e Maqedonisë, numri i votuesve mund të dallojë më së shumti prej minus 5% deri në plus 5% në raport me numrin mestar të votuesve në njësinë zgjedhore.”