Haxhiu: Asnjëherë s’kam parë ndonjë dokument që vërteton se gazi lotsjellës është armë

382

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë fazës së administrimit të provave deklaroi se asnjëherë në asnjë dokument nuk e ka parë që gazi lotsjellës është armë.
“Unë asnjëherë të paktën në këtë lëndë, nuk e kam parë ndonjë dokument që vërteton që gazi lotsjellës është armë, nuk ka të bëjë më atë a ka qenë gaz lotsjellës apo jo bombola, a është armë gazi lotsjellës ?”, tha ajo.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në fillim të kësaj seance, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë.

Haxhiu, deklaroi se para 10-12 viteve e ka parë një dokument që vërteton që nuk është armë dhe sipas saj atë mund ta ketë arkiva e gjykatës, për një rast tjetër është që është hedh gaz lotsjellës në një qendër tregtare.

“Unë kam lexuar raport nëse mund ta gjej mund ta ndaj edhe me prokurorin e nderum, por aty thuhet që gazi lotsjellës nuk është armë dhe ne po akuzohemi për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve dhe kjo është pika thelbësore dhe duhet të sqarohet a është armë apo nuk është armë”, tha tutje Haxhiu.

Ajo kërkoi që të vërtetohet nëse ka qenë apo jo armë gazi lotsjellës, sepse sipas saj kjo është pika thelbësore për çka ata po akuzohen.

“E di ligjin e policisë nuk ka nevojë me ma tregu prokurori, por ne po akuzohemi në bazë të Kodit Penal, e di çka thotë Ligji i Policisë për çka po flas, e di çka thotë Kodi Penal për çështjen që po flas, prandaj do të kërkoja që meqë e adresuat edhe kërkesën e Gjykatës së Apelit, që të shihet mundësia që të vërtetohet nëse ka qenë apo jo armë duke qenë se kjo është pika thelbësore për të cilën ne akuzohemi”, tha e njëjta.

Në fazën e administrimit të provave, prokurori Beqiri tha se në këtë çështje penale, Prokuroria në aktakuzë ka propozuar që në cilësinë e provave materiale të administrohen vërtetimi për marrjen e përkohshme të sendeve, si dhe të bëhet shiqimi i foto-dokumentacionit.

“Është interesant që këtë çështje penale e kam pas në dorë ndoshta me dhjetëra herë, mirëpo te vërtetimi mbi marrjen e sendeve asnjëherë nuk më ka ra në sy që vërtetimi mbi marrjen e sendeve ndaj të pandehurit Pal Lekaj është i emërtuar si “vërtetim mbi kthimin e sendeve”, e këtë fakt unë e kam ditë qind për qind se te i pandehuri Pal Lekaj është sekuestruar”, deklaroi prokurori Beqiri.

“Kur e kam vërejtur këtë fakt, pak jom çuditë edhe me trup gjykues, qysh sikur me prit një lëshim që trupi gjykues me thanë prokuror çka është qikjo, a duhet m’u plotësu qikjo diçka a jo, mirëpo trupi gjykues ka pas qejf me tejkalu”, tha tutje prokurori Beqiri.

E këtu ndërhyri avokati Koci, i cili tha se një gjë të tillë e kishte vërejtur ai.

“Unë kërkova nga prokuroria artikulimin e provave sepse është fakt notor që hetimet kanë përfundu para 7 viteve, në anën tjetër prokurori po thotë që me dhjetëra herë e ka pas në dorë këtë lëndë dhe se lëndët i ka trajtuar me seriozitet dhe në fund vetë e pranon që nuk ka vërejte që shkruan vërtetim për kthimin e sendeve, këtu shihen se çfarë hetime janë bërë. Prej fillimit kam kërkuar që të bëhet ekspertizë”, tha avokati Koci.

I njëjti shtoi se kërkojnë drejtësi dhe të zbatohen rekomandimet e Gjykatës së Apelit.

“Përndryshe, Gjykata me këto prova nuk ka alternativë tjetër, përveç të marrë aktgjykim lirues siç e ka marrë herën e parë”, theksoi Koci.

I pandehuri Lekaj tha se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij.

Po ashtu, prokurori propozoi që në këtë shqyrtim gjyqësor të ftohet si dëshmitar Destan Rukolli, hetues në Drejtorinë për hetimin e Krimeve të Rënda.

Sipas tij, në foto-dokumentacion shihen bombolat e gjetura dhe të sekuestruara nga të pandehurit.

Moebel THEMA

Në anën tjetër, e pandehura Kadaj-Bujupi tha se është dëmtuar dhe në rast se ka prova lidhur me akuzën ndaj saj, të prezantohen nga Prokuroria.

“Unë nuk pash që prokurori prezantoi ndonjë provë për mua, kërkoj nga kjo prokurori që të prezantojë provat për çka mbahem që 7 vite me këtë rast. Unë mbahem peng në këtë rast. Do të thotë, se më është mohuar e drejta për kandidim, jam dëmtuar”, tha Kadaj-Bujupi.

Kurse, Besa Baftiu tha se prokurori nuk ka sjellë për secilin veç e veç, as ekspertizë të gazit lotsjellës a është i dëmshëm apo jo.

“Unë pajtohem me vendimin e Gjykatë Themelore, meqë prapë nuk ka prova, mendoj që gjykata duhet të marrë aktgjykim lirues si herën e parë”, deklaroi ajo.

Ndërsa, ministrja Haxhiu tha se prokurori nuk prezantoi prova për secilin veç e veç, por më tepër bëri shou, sesa prezantim të aktakuzës.

“Prita që prokurori të prezantojë gjithçka veç e veç për secilin por nuk e bëri. Bëri veç më tepër një shou sesa një prezantim të aktakuzës së tij dhe në rrethana të tilla unë nuk kam se çfarë të shtoj përveç se konsideroj se aktakuza është e pabazë, e padrejtë dhe politike. Kam prit që prokurori të tërhiqet nga kjo aktakuzë, por se pse nuk po e bën nuk e kam të qartë”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu tha se nuk është e lehtë për ta që 7 vite të mbahen në proces gjyqësor.

“Mirëpo, sigurisht që kjo ndonëse nuk është zgjedhja jonë, do të vazhdojmë të bëjmë përpjekjet tona në kërkim të drejtësisë”, theksoi ministrja Haxhiu.

Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovohet propozimi i prokurorit, që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet hetuesi Destan Rukolli.

Po ashtu, gjykatësja Dermaku tha se gjykata sipas detyrës zyrtare urdhëron caktimin ekspertizës balistike lidhur me bombolat e gazit lotsjellës, që janë në ruajtje në Policinë e Kosovës, ashtu siç është urdhëruar me aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku detyrat e ekspertit do të caktohen me urdhëresë të veçantë.

Kurse, avokati Koci tha se ka dilemë se si do të veprohet tutje ngase në një anë është dëshmia që të pandehurit Lekaj i është kthyer diçka, kurse në anën tjetër tha se ekspertiza është e parakohshme, andaj të deklarohet dëshmitari (polici) se çfarë është kthyer dhe i pandehuri se çfarë ka marrë.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 10 shkurt 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Comments