Historike: Xhudo, Kelmendi kampione olimpike ne Rio 2016

Majlinda Kelmendi historike, heroike dhe e artë! Vajza nga Peja ja doli, të fitonte jo vetëm të parën medalje për Kosovën në pjesmarrjen e parë por gjithashtu dhe të parën medalje shqiptare në Lojrat Olimpike. Në Rio, në qytetin ku fitoi Botërorin për herë të parë, Kelmendi arriti të kafshojë arin olimpik pas një suksesi në tapet me një “Yoko” ndaj italianes Odette Giuffrida, që ishte dhe kurorzimi i një ëndrre dhe sakrifice të pashoq nga Majlinda dhe trajneri i saj Driton Kuka, që për vite me radhë ishin të vetmit, që atë medalje ari të Rios e panë për vite me radhë prej Rugove, ku askush nuk mendonte se një ditë prej aty do të dilte një vajzë që do të prekte majën e botës olimpike. Finalja me italianen Giuffrida ishte një emocion për miliona shqiptarë në mbarë botën, ku cdo kapje e Majldinës ishte kapje e një ëndrre. Që në fillim, Majlinda arriti të marrë një “Yoko” ndaj kundërshtares së saj
3 minuta e mbetura ishin një pritje për shpërthimin përfundimtar të një përzierje lumturie, që u shkarkua i gjithi në ato lot që rridhnin për arin e një ëndrre.
Kelmendi e nisi garimin e saj në fazën e 1/8 kur arriti të mundë në vetëm 25 sekonda zviceranen Evelyne Tschopp me një “ippon” prej mjeshtre të vërtetë. Në cerekfinale përballë saj ishte xhudistja nga Mauritius, Christianne Legentil, që e kishte eliminuar në Olimpiadën e Londrës. Por këtë herë Majlinda, me katër vjet përvojë më shumë mbi supe dhe si kampione e Botës arriti të shfaqë gjithë forcën e saj duke fituar pa shumë probleme për të siguruar një vend në gjysmëfinale. Përballë saj ishte japonezja Nakamura, një ish kampione e Botës. Një finale e parakohshme e cila u kuptua dhe nga beteja e fortë mes dy xhudisteve. Japonezja që në fillim u ndëshkua me një penalitet dhe provoi të kthente ndeshjen duke provuar të rrëzojë në tapen Majlindën, por xhudistja pejane rezistoi për të marrë finalen e saj dhe njëkohësisht për të konfirmuar të parën medalje në një Olimpiadë për vendin e saj. Do të ishte e artë apo jo, kjo do të vendosej përballë italianes, Odette Giuffrida. Në finale, Kelmendi bëri gjithcka pritej prej saj duke u shfaqur si kampionia e gjithë shqiptarisë, duke i dhuruar Kosovës së saj të parin ar olimpik. Nga tani e mbrapa, ajo është historia.