Hoti: Po shikojmë mundësinë t’i bëjmë publike identitetet e personave që janë me koronavirus

540

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar për media pas mbledhjes që pati ai me Komitetin për Menaxhimin e Pandemisë.

Hoti tha se janë diskutuar një varg çështjesh e ndër to informoi se janë aktivizuar shtabet lokale dhe do të funksionalizohen edhe shtabet e fshatërave, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Hoti më tutje ka thënë se janë krijuar kapacitete shtesë me inspektorë – ndërsa gjithashtu ka bërë të ditur se inspektorët sanitarë kanë shqiptuar gjoba për bizneset që s’i kanë respektuar masat e IKSHPK-së.

“Sapo përfunduam mbledhjen e Komitetit që merret me situatën me koronavirusin për t’u dakorduar për veprimet e mëtutjeshme. Është krijuar kulturë e mirë e komunikimit e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi për të menaxhuar pandeminë. Jemi duke përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke marrë vendimet adekuate përputhje me situatën. Kanë filluar punën shërbimi spitalor në përputhje me vendimin e qeverisë për t’u furnizuar me shtretër dhe riorganizimin e resurseve njerëzore nëpër klinika ku ka më së shumti nevojë. Janë aktivizuar shtabet lokale tërësisht. Ajo që është me interes është funksionalizimi edhe i shtabeve të fshatrave, kështu që të kemi informata të plota edhe në nivele të tilla. Kemi krijuar kapacitete shtesë me inspektorë edhe duke punësuar inspektorë por edhe me inspektorët sanitarë të cilët kanë shqiptuar edhe gjoba për ata që nuk i kanë përfillur vendimet e qeverisë”, tha Hoti.

Më tutje, Hoti tha se do të tentojnë që t’i bëjnë publike rastet të cilat janë pozitive me koronavirus, pasi të njëjtit nuk po qëndrojnë të izoluar.

Gjithashtu ai ka theksuar se do të vijë në Kosovë komision vlerësues i OBSH-së për të vlerësuar mundësitë e Kosovës në përballje më të gjatë me pandeminë.

“Ka nevojë të rritet kujdesi qytetar sepse ka qytetarë të testuar pozitivë që nuk kanë qëndruar të izoluar, kështu që në bazë të ligjit ne do të kërkojmë t’i bëjmë publike rastet që janë pozitive me koronavirus. Është vendim etik e moral që dikush që është pozitiv të izolohet vetë. Në ditët e ardhshme do të kemi fushatë masive të informimit me masat mbrojtëse dhe me vendimet e qeverisë. Kemi komunikuar me komunat, i kanë disa kërkesa specifike që i diskutuam sot se si mund t’i realizojmë. Siç është testimi i një mostre në nivel vendi që të kemi më të qartë shkallën e infektimit. Po shqyrtojmë mundësinë e përdorimit të databazës që ka Ministria e Shëndetësisë për moshën dhe të tjera dhe të bëjmë protokoll të veprimit. OBSH-ja nga Kopenhagën do të dërgojë një komision për të vlerësuar kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor të shohin se sa ka kapacitete Kosova të përballet në afatgjatë me koronavirusin. Ftoj të gjithë qytetarët të kenë kujdes maksimal për të ruajtur shëndetin e tyre, jetën e tyre, njerëzve të tjerë, masat për t’u ruajtur nga koronavirusi janë maskat, distanca dhe higjena, është kaq e thjeshtë. Është obligim i yni që të kujdesemi për zbatimin e këtyre masave.”, tha Hoti. /Lajmi.net/

Comments