Hoze Mourinjo jep ultimatumin për Zlatan Ibrahimoviç dhe Pol Pogba


Jose Mourinho nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të rëndësi ka ajo çfarë bën në fushën e lojës dhe nga ky qëndrim nuk bëjnë përjashtim as Paul Pogba apo Zlatan Ibrahimoviç.
Trajneri portugez thekson se nuk do ta ketë aspak problem t’i ulë në pankinë dy yjet e tij nëse do ta shikojë të nevojshme.
Dy emrat më të lakuar të merkatos së Manchester United ishin edhe ndër më të kritikuarit pas sfidës së “Anfield”.
Francezi që u transferua për rreth 100 milionë Euro nga Juventusi numëron vetëm një asist në 9 ndeshje duke ngritur pikëpyetje të mëdha.
Në krahun tjetër, suedezi ka shënuar vetëm një gol në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit. “Special One” thekson se në ekipin e tij nuk ka të paprekshëm.
“I paprekshëm në ekipin tonë duhet të jetë shpirti i vetësakrifikimit, krenaria dhe përkushtimi ndaj klubit e respekti ndaj fansave. Kjo është e paprekshme, jo lojtarët”.