Iniciohet padi private ndaj Pançevskit në PSP



Shefi i inspektimit në komunën Qendër, Koço Stojçevski si person privat parashtroi kallëzim penale në Prokurorinë Speciale kundër kryetarit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 Vladimir Pançevski dhe personave tjerë. Kallëzimi penal ka të bëjë me shpërdorimin e detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Stojçevski shprehet se është e paligjshme procedura për denacionalizim që e ka drejtuar Pançevski për objektin kontestues në rrugën “Nikola Vapcarov” në qendër të Shkupit. Ai e dyshon Pançevskin se ka ndikuar ndaj gjykatësve gjatë procedurës për denacionalizim dhe ka dorëzuar të dhëna të rrejshme në komunën Qendër.
“Pres që Prokuroria Speciale ta shqyrtojë seriozisht. Ka indikacione se duke marrë parasysh vëllimin e bisedave të përgjuara, ekzistojnë biseda ku Pançevski ka gjasa të ketë ushtruar ndikim ndaj vendimeve të gjykatësve”, deklaroi Koço Stojçevski, drejtues i shërbimit për inspektim, Komuna Qendër.
Pançevski në një bisedë të shkurtër për Alsat M deklaroi se do të bashkëpunojë me Institucionet.
“Në çdo moment jam i kapshëm për Prokurorinë Speciale dhe nuk më vjen turp të paraqitem atje. Gjithçka do të hetohet nga institucionet dhe nëse do jem i ftuar do t’u jem në dispozicion”, tha Vladimir Pançevski, Kryetar i Gjykatës Themelore Shkupi 1.
Në këtë moment në fuqi është vendimi i komunës Qendër, sipas të cilit, Pançevski duhet në afat prej 15 ditëve ta rrënojë mbindërtimin kontestues të objektit, për të cilin komuna konstatoi se është ndërtim i paligjshëm.