
Gjykatat duhen t’i trajtojnë këto vepra më seriozisht dhe të shqiptojnë dënime për të gjithë ata që nxisin ose kryejnë vepra të këtilla penale, vlerëson kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Urania Pirovska.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 70 incidente që kanë të bëjnë me urrejtjen etnike apo partiake, prej të cilave 70% kanë ndodhur në kryeqytet.

“Shteti nuk merr masa konkrete për të parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe veprat penale të nxitura nga urrejtja, për arsye se gjykatat përkatëse këto vepra nuk i trajtojnë siç duhet dhe nuk i jepet kualifikimi i duhur, por ato në të shumtën e rasteve nëpër gjykata trajtohen si vepër penale – dhunë”,- deklaroi Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Sipas statistikës së Komitetit të Helsinkit, për shkak të krizës së stërzgjatur politike dhe gjuhës së urrejtjes gjatë saj, në nëntor të vitit të kaluar janë regjistruar 26 incidente, në shkurt 12, mars 10 dhe në qershor, gusht, shtator dhe tetor nga 1 incident.
Sipas Pirovskës, 46% e këtyre incidenteve të regjistruara kanë ndodhur për shkak të përkatësisë etnike, 33% për shkak orientimit politik, 16% për shkak statusit refugjat, 4% për shkak përkatësisë fetare dhe 1% për racizëm.