Kosova, një bebe që të gjithë duan ta mbysin
Kosova administrohet nga të fortët, një grup që është referuar hapur se ka lidhje me krimin e organizuar. Zgjedhjet e kaluara janë vjedhur në një përmasë gati 40% sipas raporteve ndërkombëtare mbikëqyrëse, shtonte në këtë argument Veton Surroi në një intervistë.
Mbase sfondi është i gjerë, por në javët e fundit është shtuar edhe një luftë pa sens. Kjo është një luftë virtuale e pasens nga Shqipëria, më saktë nga personazhe të ndryshme, të cilët po krijojnë artificialisht një pakënaqësi që duket se i kalon madje edhe problemet reale mes dy vendeve. Nuk bien më poshtë shumë kosovarë që merren me çdo gjë dhe shikojnë deri krijimin e një nën-identiteti, duke e argumentuar me lloj-lloj idesh. Është filluar me ankesat për ekipet respektive përfaqësuese, për fat kanë reshtur disi problemet e barrierave doganore, por janë shtuar personazhet e ndryshme që merren me vizitën e Ramës, patetikë që u përvishen kosovarëve , si edhe kopetentë që u veshin kritika dhe çështje që i kalojnë realisht problemet e Kosovës.
Duket se Kosovën, këtë shtet-bebe të vogël duan ta mbysin të gjithë. Qoftë edhe ata njerëzit që dikur ishin simbol për lirinë e saj. Njerëzit e UÇK-së, më së shumti ata që drejtuan luftën, sot paradoksalisht ka pak të tillë që nuk janë të përfolur, shtuar me shumë nga qeveritarët e sotëm, që e kanë futur në një spirale të kriminalizuar vendin, që kulmoi me përgjimet PRONTO.
Kosova është në hapat e parë të shtetit të saj dhe realisht më shumë se gabimet e saj ka reflektuar të gjithë gabimet e të rekrutuarve të administratës evropiane. Kjo e fundit është vetë përgjegjëse dhe fajtore e një projekti të madh pan-evropian, që po rrezikohet.
Kosovës së re sot i mungon një platformë politike idealiste dhe forcat që mund ta çojnë para ata, e paradoksi është se kjo ka pak gjasa të ndodhë edhe në të ardhmen. Argumenti ynë ndjek performancën e politikanëve të shumtë kosovarë dhe tollovinë që kanë krijuar ashtu si edhe prezantimin e dobët në bisedimet me palën serbe. Duket se qeveritarët e sotëm të saj janë të majmur me pushtetin dhe përfitimet e tij, kurse opozitarët me kotësinë e të protestuarit për çdo gjë. Kurse kosovarët e thjeshtë që vuajnë kapriçon e serbëve për energjinë dhe Trepçen, por edhe fjalët e bjerraditësve dhe sidomos shumë personazhe të Tiranës që nuk e njohin fare Kosovën, janë të përballur me një jetë që vetëm po vështirësohet.
Kjo bebe e vogël ndër shtete të Evropës ka nevojë të forcohet, e si e tillë, duhet të mos ia bëjmë jetën edhe më të vështirë sesa e ka, anipse duket se të gjithë duan ta mbysin atë. (Javanews)