KShZ: 30 mijë votuesit e larguar nga regjistri do të mund të rifitojnë të drejtën e votës

231
fresco
midle
Pas konstatimit të Komisionit gjegjës se në depon e kazermës “Ilinden” mungojnë 40 vula nga vendvotimet e Sopishtës, Bërvenicës, Likovës, dhe Butelit, KShZ ka vendosur që në mënyrë plotësuese t’i kontrollojë materialet zgjedhore.
Kontrolli i materialeve zgjedhore ka ngjallur një debat të ashpër, i cili u zhvillua mes anëtares së VMRO-së, Silvana Bonevas, dhe atij të LSDM-së, Igor Milevit, rreth mënyrës se si është prezantuar regjistrimi i jashtëzakonshëm.
“Nuk ka materiale zgjedhore, as nga viti 2008, as nga 2009, as nga viti 2011-të kur VMRO-DPMNE festonte fitore të mëdha, nuk ekziston. Është e vërtetë se për herë të parë po kontrollohen materialet. Unë kam kërkuar të shoh se me çfarë materiali zgjedhor ne disponojmë”,- tha anëtari i LSDM-së në KShZ, Igor Milev.
“Nuk e kam fare të qartë se në çka është bazuar komisioni kur ka konstatuar se në këto hapësira ruhen materiale zgjedhore. A i ka parë shiritat e sigurisë të thasëve, a i ka krahasuar shifrat nëse janë të hapura ose jo që të konstatojë se ai material zgjedhor ndodhet aty”,-theksoi anëtarja e VMRO-DPMNE-së në KShZ, Silvana Boneva.
Sekretari i përgjithshëm i KShZ-së, Dobre Jançev, ka sqaruar se asnjë nga vulat nga komuna e Butelit nuk është dërguar në kazermën “Ilinden”.
“Për sa i përket asaj se të gjitha vulat mungojnë nga komuna e Butelit, ky është fakt. Por, harrohet të thuhet këtu një fakt tjetër. Këto vula asnjëherë nuk kanë hyrë në kazermën “Ilinden”. Ato materiale asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e regjistrimit të KShZ-së”,- tha sekretari i përgjithshëm i KSHZ-së, Dobre Jançev.
Anëtarët e KShZ-së i ka përplasur edhe mënyra e paraqitjes të rreth 30 mijë votuesve që kohë më parë u larguan nga regjistri zgjedhor.
Megjithatë, KShZ mori vendim që këta votues të mund të rifitojnë të drejtën e tyre të votës duke u paraqitur përveç në njësitë rajonale të KShZ-së edhe në formë elektronike.
Ndërkohë, duke filluar nga sot, për 15 ditë rresht, përkatësisht deri më 11 nëntor, do të jetë në inspektim publik Regjistri zgjedhor.
Ndërsa, sipas kalendarit zgjedhor, rrjedhin edhe afatet për paraqitjen e qytetarëve nga diaspora për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës si dhe mbledhja e nënshkrimeve për kandidatë për deputetë.
Comments