Kur huqet caku!

284

Grupi i ashtuquajtur i zjarrit brenda partisë më të madhe shqiptare në ‘drzhavën Severna’ DUI, prej kohësh kanë filluar të shënojnë me ‘shigjeta të helmatosura’ kundër bashkëpartiakëve të tyre integristë në qeverinë e koalicionit, si grup i dështuar për ta të cilët janë duke pleksur plane djallëzore kundër të ardhmes së DUI-t.

Megjithatë, lideri i integristëve është prononcuar tashmë se nuk do ta tërheq kanakarin e tij Grubi nga posti i zëvendëskryeministrit dhe as ministrat e tjerë integristë nga postet qeveritare për shkak të tekave dhe egove të ‘grupit të zjarrit’ apo smirës dashakeqe që po shfaqet hapur te ata.

Ndërsa pakënaqësia e ‘grupit të zjarrit’ ndaj refuzimit të liderit integrist për t’i tërhequr nga postet qeveritare grupin e dështuar të Grubit po shtohet, ata vazhdojnë të huqin nga pasaktësia dhe nervozizmi cakun e tabelës për qitje me objektiv Artan Grubin në ballë!

Moebel THEMA

Kësisoj, në ‘zjarrin e luftës’ për protagonizëm dhe pushtet brenda partisë së integristëve, Xati 24 karati, Mexhiti evgjiti dhe Musa hamshori, po huqin qindra shigjetat e helmatosura ndaj ‘teneqes Grubi’ pa sukses për ta plandosur ‘djalin plëngëprishës’ për tokë, pasi mbështetja pa rezervë nga lideri integrist i jep atij garancë për t’u kapërdisur deri në fund të mandatit nëpër korridoret e godinës qeveritare në Shkup.

Ndaj, ‘grupit të zjarrit’ nuk i mbeten shumë zgjidhje në ‘luftën’ e tyre për pushtet, ku përfundimisht nga sfilitjet e kota do t’i shpallin ultimatum Ali Ahmetit me kushtin: Ose hiqe Grubin ose këtu do të ndahen rrugët tona përmes fraksionit brenda partisë!

Sesa do të jetë vrulli i përhapjes së ‘zjarrit të pakënaqësisë’ mes rebelëve nëpër rrethe do të varet shumë nëse ata do të dinë të godasin në shenjë apo jo.
Mbetet për t’u parë në ditët dhe javët që do të vijnë nëse ky zjarr i revoltës së këtij grupi do vazhdoj të qëndroj si një bubulak dhe një kërcnim i hapur për grupin kundërshtar apo ‘do të shuhen’ si dështakë të pasuksesshëm në terren për të arritur objektiva të mëdha.

Medai Shaholli

Comments