Kushtet skandaloze tek reparti i Hemodializës, asnjë masë ndaj Spitalit Amerikan (Foto)

131

Moebel THEMA

Ngjarja ku humbën jetën 4 persona brenda Spitalit Amerikan, tashmë ka kaluar në heshtje jo vetëm nga organi i akuzës por edhe nga institucionet përgjegjëse. Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë masë ndaj spitalit privat i cili kishte shkelur kontratën duke zhvendosur qendrën e dializës në një ambjent të papërshtatshëm.

Ministri Ilir Beqaj, u shpreh se do të nisë një hetim administrativ ndaj Spitalit Amerikan, aty ku humbën jetën 3 persona. “Ka një fatalitet, por do t’ia lëmë organeve të drejtësisë të hetojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje. Sigurisht që ne do të zhvillojmë një hetim administrativ“, u shpreh ai. Sot e kësaj dite jo vetëm që nuk kanë nisur hetimet nga Ministria e Shëndetësisë por madje Spitali Amerikan vijon të ofrojë këtë shërbim njësoj si më përpara.

Boldnews.al paralajmëroi kushtet skandaloze 5 javë më përpara se të ndodhte tragjedia në Spitalin Amerikan. Nëpërmjet fotove dhe dëshmive të pacientëve, ata shpreheshin se kryenin procesin e hemodializës në kushte të tmerrshme dhe shpeshherë ishin ankuar për këtë gjë.

Në vendin tonë janë rreth 900 persona që marrin shërbimin e dializës 3 herë në javë ku gjysma e tyre e marrin në Spitalin Amerikan. Por pacientët e dializës u shprehen për Boldnews.al se ushqimi në Spitalin Amerikan është jo i konsumueshëm ndërsa mungonin kushtet higjeno-sanitare. Fotot e disponuara nga Boldnews.al tregonin panoramën e një spitali privat të dalë nga një situatë “lufte”, ku pacientët marrin çdo gjë nga shtëpia përfshirë këtu edhe çarçafët. Në to shihet qartë diferenca pavarësisht se QSUT dhe Spitali Amerikan paguhen me të njëjtën tarifë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për të ofruar shërbimin e dializës.

tabela 3tabelaaa

Pikërisht mungesa e kushteve për të kryer hemodializës solli edhe konfliktin mes dy pacientëve. Lefter Canaj, 57 vjeç i ka hedhur një bidon me benzinë pacientit Dashamir Saraçi, 47 vjeç pasi ky i fundit i kishe zënë shtratin ku kryhej. Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë ndodhi mesditën e 25 korrikut në brendësi të pavionit ku kryhej hemodializa dhe që në fakt ishte jashtë kushteve teknike. Kjo sepse dritaret ishin të rrethuara me hekur, ndërsa dhoma ishte tepër hermetike pasi më përpara ishte përdorur si magazinë e barnave.

Nga pamjet filmike, Canaj ka hyrë në pavion dhe ka nisur të hedhë benzinë mbi pacientin Saraçi dhe më pas i ka vënë flakën. Për pasojë, nga flakët por edhe nga asfiksimi i tymit kanë humbur jetën edhe 2 gratë, Sanije Sulaj dhe Anife Mali. Pavioni kishte vetëm një dalje, ndërsa nuk kishte daljen emergjente ku mund të hynin edhe zjarrëfikësit.

Vetëm nga shërbimi i dializës, Spitali Amerikan ka përfituar nga taksat e paguara për sigurimet shëndetësore miliarda lekë. Të dhëna të referuara për Boldnews.al bëjnë me dije se për vitin 2015 FSDKSH i ka paguar Spitalit 701.202.340 lekë vetëm për shërbimin e dializës. Ndërkohë për vitin aktual (2016) deri tani janë likujduar 268.783.960 lekë.

Dializa është një proces që mban në jetë të sëmurët me veshka. Për shkak të pamundësisë së këtij organi për të kryer funksionin normal, aparatura bën në mënyrë artificiale pastrimin e trupit të të sëmurit. Personat që bëjnë dializë janë të paaftë pa punë, vetëm transplanti i veshkës mund t’i shkëpusë ata nga këto aparatura.

Boldnews.al pritet që në ditët në vijim të publikojë një raport konfidencial ku evidentohen një sërë shkeljesh nga Spitali Amerikan që cënojnë jetën dhe integritetin e pacientëve./boldnews.al

Comments