LISTA E VOTUESVE ENDE E PAPASTRUAR? FAMILJA BABUNSKI JETON NË SPANJË, VOTON NË KAPISHTEC



Trioja e famshme futbollistike, babai Boban dhe dy djemtë e tij, David dhe Dorian Babunski, pothuajse tërë jetën e tyre e kanë jetuar në Spanjë. Megjithatë, më 11 dhjetor, këta, në vend se të votojnë në ambasadën e Maqedonisë në Madrid, do të duhet të vijnë në Shkup për të votuar në lagjen Kapishtec. TV21 erdhi deri te kjo informatë pasi disa banorë të Kapishtecit na njoftuan se në adresën e tyre janë regjistruar edhe tre persona të tjerë të cilët banorët fare nuk i njohin. Për këtë, siç thonë, e kanë njoftuar KSHZ-në para disa muajve, por deri tani asgjë nuk është ndërmarrë.
Edhe 80 vjeçarja e pensionuar zonja Lubica e cila jeton në lagjen Karposh 4 e ka të njëjtin hall. Ajo është befasuar kur vajza e saj ia ka treguar listën zgjedhore në të cilën, në adresë të saj figuron edhe një person tjetër me emrin Rahillka.
“Dy herë erdhën vollunterë me lista. U thashë se këtu jeton vetëm Lubica Spaseska. Por kur erdhën përsëri, në listën e tyre ende figuronte Rahillka. Kjo grua nuk e di ku jeton. Fëmijët e mi ishin të shqetësuar dhe e njoftuan KSHZ-në se në këtë adresë jeton vetëm një grua dhe se nuk ka anëtar tjetër. Nuk e di si është bërë ky gabim”, u shpreh Lubica Spaseska, e pensionuar.
Jetoj në rrugën “Aco Karamanov” numër 19. Sipas Listës zgjedhore me mua jeton edhe Vlladimir Hojbner. A e njeh dikush nga komshinjtë? Më ndihmoni ta gjejmë, thotë para kamerës së TV21 Darko Gigov. Ai sqaron se problemet me votuesit e regjistruar në lagjen Vodno të Shkupit filluan me ndryshimin e emrave të rrugëve.
“Kur në ueb faqe e shkruaj emrin tim në rrugën “Aco Karamanov” më dalin edhe persona të tjerë. Kur e shkruaj adresën e vjetër “Vodnjanska”, më dalin emrat e fqinjëve. Kur e shkruaj numrin e amzës, del emri im. Por kur e shkruaj adresën e vendbanimit, dalin edhe emra të tjerë. Një farë Vlladimir Hojbner…diçka ngjashëm”, tha Darko Gigov, banor i Vodnos.
Në adresën e tij aktuale, krahas Gigovit dhe familjes së tij, jeton edhe familja Kolishevski.
TV21 kërkoi përgjigje nga KSHZ se për çfarë arsye, edhe pas 2 muajve e gjysmë pasi zyrtarisht u njoftua se Lista zgjedhore është e pastruar, në të ende ekzistojnë problemet e vjetra.
Në bisedë telefonike na u përgjigjën shkurt se regjistrimi i qytetarëve në një adresë të caktuar është kompetencë e Ministrisë së brendshme dhe se KSHZ nuk mund të bëjë asgjë. Ndërkaq nga MPB-ja fillimisht kërkuan që pyetjet t’i marrin në rrugë elektronike, që më pas siç thanë, të vendosin se si do të veprojnë në lidhje me kërkesat tona.