LR-PDSH-ja uzurpon emrin e “Aleanca për Shqiptarët”, reagojnë aleatët

264

Një ditë pasi LR PDSH-ja vendosi të riemërtohet në Aleancë për Shqiptarët, reagojnë partia Uniteti dhe Rilindja Demokratike Kombëtare e Vesel Memetit.

Derisa partia e kryesuar nga Zijadin Sela thirret në kërkesën e kuvendarëve për riemërtim të subjektit, kryetari i RDK-së Vesel Memedi konsideron se LR PDSH-ja ka përvetësuar emrin në mënyrë jo ligjore. Sipas Memedit dokumenti i dorëzuar më 3 gusht në Regjistrin Qendror në të cilin njoftohet institucioni për mbyllje të koalicionit, nuk është nënshkruar nga subjekti i tij dhe se për një vendim të tillë partia e tij nuk ka mbajtur mbledhje.

“Me këtë lojë LR PDSH-ja tenton të shpëtoj fytyrën para shqiptarëve për prishjen e Aleancës dhe përvetësimin e emrit para zgjedhjeve lokale me shpresën se do të manipulon edhe më tutje me emrin e Aleancës. Kjo tentim lojë dëshmon se LR PDSH ka humbur besimin në vete se mund të arrij ndonjë fitore tek elektorati shqiptar. RDK dhe Uniteti i urojnë rrugë të mbarë LR PDSH me ermin e tyre origjinal, por i porosisim që të mos manipulojë në emrin e Aleancës”- ka deklaruar për Alsat-M,Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.

I papërcaktuar mbete edhe subjekti Unitetit. Derisa strukturat e kësaj partie kohë më parë njoftuan publikisht se gëzojnë mbështetjen e pothuajse të gjitha degëve të partisë për t’u shkrirë në Aleancë për Shqiptarët edhe atë me pëlqimin e Kuvendit Qendror, kryetari i Unitetit Gëzim Ostreni thekson se degët nuk janë kompetente të vendosin për shkrirje në një subjekt ose jo. Sipas Ostrenit, një vendim i tillë është duke u shqyrtuar, por që akoma nuk ka marrë dritë jeshile nga Kongresi i partisë.

J”emi duke shqyrtuar çështjen nëse do të shkojmë vetë ose në koalicion me ndonjë parti tjetër por sigurisht këtë do ta vlerësojnë degët, pasi që situata në zgjedhje lokale është ndryshe dhe në bazë të Komunave. Nuk mund aq lehtë të vendosin degët. Në bazë të statutit çdo kush mund të del prej partie kur të donë. Anëtarësimi në parti është vullnetar dhe mund të shkojnë ku të kenë dëshirë. Nuk ka pengesë për ata që preferojnë parti tjetër, le të shkojnë ku të kenë dëshirë”- ka deklaruar në telefon për Alsat-M, Gëzim Ostreni, kryetar i Unitetit.

Aleanca për Shqiptarët si koalicion u formua më 19 tetor, mes LR PDSH-së, Unitetit dhe RDK-së së Vesel Memedit. Koalicioni garoi bashkërisht në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar tre mandate në Kuvend. Pas kësaj lindi ideja që tre subjektet të shkrihen në një edhe për zgjedhjet lokale, por pavarësisht ftesës së vazhdueshme nga LR-PDSH-ja për shkrirje, partitë e koalicionit nuk arritën qëndrim unanim në strukturat partiake. Ideja e shkrirjes së Aleancës për Shqiptarët gëzoi vetëm mbështetjen e disa degëve dhe strukturave të Unitetit, por jo edhe të RDK-së.

Comments