Sulmin e mbrëmshëm në Radio Televizionin e Kosovës e ka dënuar edhe menaxhmenti i televizionit publik.

Nëpërmes një komunikate për media, menaxhmenti i RTK-së konsideron se sulmi i mbrëmshëm është sulmi më i rëndë deri më tash ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë në Kosovë, me qëllim të frikësimit të gazetarëve dhe redaktorëve të RTK, për të raportuar në mënyrë të paanshme dhe profesionale.

Me anë të kësaj komunikate menaxhmenti i RTK-së fton subjektet politike, sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, që të ndalen gjuha e urrejtjes, kërcënimet, ofendimet dhe shantazhimet kundër transmetuesit publik.

“Gjuha e përdorur kundër transmetuesit publik tregon që në shoqërinë tonë  ende ka grupe e forca politike, të cilat qëllimet e veta tentojnë t’i realizojnë me dhunë, duke shtypur fjalën e lirë dhe duke mbytur lirinë e mediave”, thuhet në komunikatë.

Menaxhmenti i RTK-së konsideron se sulmi i mbrëmshëm kishte për qëllim frikësimin dhe disiplinimin politik të RTK-së.

“Por, kjo nuk do të ndodhë. RTK do të vazhdojë që, duke përmbushur misionin ligjor, të raportojë për të gjitha zhvillimet relevante, duke përfshirë të gjitha palët dhe akterët relevantë, pa u përfshirë asnjëherë në agjenda politike dhe elektorale. E sigurojmë audiencën tonë se ky sulm nuk do të ketë asnjë ndikim në punën tonë profesionale”, thuhet në komunikatë.

Menaxhmenti i RTK-së kërkon nga organet e rendit që të zbardhin sa më shpejt që është e mundur këtë rast dhe autorët e këtij akti terrorist të dalin para drejtësisë.

“Ndërsa nga institucionet e vendit kërkojmë që të jenë më të përgjegjshëm dhe që sa më shpejt që është e mundur të zgjidhin çështjen e pronës së RTK-së dhe të sigurojnë ambient më të sigurt për punë të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës”. /Telegrafi/