Meta nis vizitën në Greqi, në fokus edhe “Çështja çame”

93

 


Meta nis vizitën në Greqi, në fokus edhe “Çështja çame”

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nis sot një vizitë zyrtare në Greqi në krye të një delegacioni parlamentar shqiptar me ftesë të Presidentit të Parlamentit të Greqisë, Nikolaos Voutsis.

Pjesë e delegacionit që shoqëron kryeparlamentarin janë deputetë të PS, PD, LSI dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Moebel THEMA

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë marrëdhënie që shkojnë përtej kontakteve politike që gëzojmë mes dy vendeve tona. Miqësia jonë bazohet në shekuj mirëkuptimi dhe shkëmbimesh mes dy popujve tanë që kanë kaq shumë të përbashkëta. Besoj se vizita jonë në Athinë do t’i shërbejë intensifikimit konkret të bashkëpunimit ndërparlamentar i cili është i rëndësishëm për të gjithë bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik, dhe që ne dëshirojmë t’a avancojmë me vullnet të plotë në çdo nivel në të ardhmen”- tha Meta para nisjes në Greqi.

Përveç homologut të tij grek, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta do të pritet edhe nga Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras, Ministri i Punëve të Jashtme Nikos Kotsias dhe Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos.

Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Kryetari i Kuvendit Meta do të takohet edhe me përfaqësues të partive kryesore politike parlamentare si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Athinë.

Gjatë kësaj vizite 3 ditore zyrtare në vendin fqinj, Kryetari i Kuvendit Meta shoqërohet prej Kryetares së Komisionit për Politikën e Jashtme Arta Dade, Kryetarit të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin Eduard Shalsi, dhe deputetët Anastas Angjeli (PS), Fatmir Toçi (PS), Gjergji Papa (PD), Vangjel Tavo (LSI) dhe Vangjel Dule, Kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ).

Comments