Ndërron jetë ish presidenti izraelit Shimon Perez pas një ishemie cerebrale

592

Ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeçare ish presidenti i Izraelit Shimon Perez. Ish presidenti i cili përfundoi mandatin në vitin 2014, u nda nga jeta mëngjesin e së mërkurës në Tel Aviv, 2 javë pasi ishte shtruar në spital pas një ishemie cerebrale.

Perez i cili ka shërbyer dy herë si kryeministër dhe një herë si president, ishte një nga udhëheqësit më të dashur dhe të respektuar të Izraelit, një nga etërit themelues të shtetit të Izraelit.

Arkivoli i tij do të vendoset të enjten në Knesset( parlament), ku do të kryehen nderimet dhe homazhet.

Ndërsa funerali do të mbahet të premten në Mount Herzl, varrezat kombëtare izraelitë në Jeruzalem ku pritet të marrë pjesë presidenti amerikan Obama, Clinton dhe kryeministri kanadez Trudeau.

Shimon Perez ishte përgjegjëz për politikën e jashtme të Izraelit dhe një nga arkitektët e marrëveshjes së Oslos, marrëveshja e paqes me palestinezët në vitin 1993, për të cilin ai mori edhe Çmimin Nobel në vitin 1994 së bashku me kryeministrin e atëhershëm Yitzhak Rabin dhe presidentin palestinez, Jaser Arafat.

Palestinezët ishin fqinjët më të afërt të Izraelit dhe mund të bëhen miqtë më të ngushtë, pati deklaruar dikur Perez.

“Ai ka punuar pa u lodhur për Izraelin që nga krijimi i tij në vitin 1948 dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij,” është shprehur Chemi, djali i Perez.

Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Perez, ndërsa presidenti i SHBA-së Barack Obama përmes një deklarate e ka quajtur Perez, “mikun e dashur”.

“Ai është udhëhequr nga një vizion i dinjitetit njerëzor dhe progresit. Ai e dinte se njerëzit e vullnetit të mirë mund të ecin përpara së bashku,” ka thënë Obama.

“Nuk ka asnjë alternativë për paqen. Nuk ka asnjë kuptim të shkohet në luftë”, thoshte Peres.

Comments