Në humbje rreth 30 mijë firma

269
Në humbje rreth 30 mijë firma

Dëshmi se hapja e firmës nuk do të thotë edhe sukses të garantuar afarist, është edhe e dhëna se më shumë se 37 për qind e numrit të përgjithshëm të subjekteve në sektorin koorporativ kanë shënuar humbje në vitin 2015, ndërsa numri i subjekteve juridike me llogari të bllokuara të transaksionit, pavarësisht shkakut të bllokimit, në bazë vjetore është rritur për 5.5 për qind

Evis HALILI

Dimensioni kuantitativ i iniciativës sipërmarrëse në Maqedoni, në shkallë të caktuar mund të shihet përmes hyrjes dhe daljes nga tregu të subjekteve të reja ekonomike, gjegjësisht përmes dinamikës së ndryshimit vjetor të subjekteve të posathemeluara dhe atyre të falimentuara juridike. Sipas të dhënave me të reja të Bankës Popullore të Maqedonisë, për herët të parë pas vitit 2010, numri i subjekteve të porsathemeluara juridike në vitin 2015 ka shënuar rritje prej 3.9 për qind. Pjesëmarrja e subjekteve posa të themeluara juridike në numrin e përgjithshëm të subjekteve juridike aktive tash e disa vite është në nivel stabil prej rreth 15 për qind. Megjithatë, edhe krahas rritjes së dukshme të iniciativës sipërmarrëse, në vend është vështirë të punohet, ndërsa treguesi më i mirë për atë është që prej gjithsej 70.139 subjekteve afariste aktive, madje 25.951 firma kanë përfunduar vitin e kaluar me humbje. “Duket se me shkurtimin e kohës së domosdoshme për regjistrim të subjektit juridik, si dhe me lehtësimin e procedurave, u kontribuua për eliminimin e oscilimeve më të mëdha tek shkalla e ndryshimit të subjekteve të posa themeluara juridike. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se procedurat e lehtësuara për regjistrim dhe kushtet gjatë themelimit të subjektit juridik, vetvetiu, nuk bartin garanci për sukses në funksionimin afarist”, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë në raportin “Stabiliteti financiar në Republikën e Maqedonisë në vitin 2015”. Dëshmi se hapja e firmës nuk do të thotë edhe sukses të garantuar afarist, është edhe e dhëna se më shumë se 37 për qind e numrit të përgjithshëm të subjekteve në sektorin koorporativ kanë shënuar humbje në vitin 2015.

“Këto subjekte kapin rreth 22 për qind të mjeteve të përgjithshme të sektorit koorporativ në fund të vitit 2015 dhe në bazë vjetore – shënojnë pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët, për rreth 12 pikë. Treguesit për fitimin e ndërmarrjeve që kanë shënuar humbje nga puna shënojnë përkeqësim të mëtutjeshëm, që mund të interpretohet si indikator i qartë se një pjesë e mirë e këtyre subjekteve kanë probleme kronike të natyrës operative, më së shpeshti në formë të kapacitetit të pamjaftueshëm të të hyrave dhe të dalave shumë të mëdha që nuk mund të shmangen, njëkohësisht duke poseduar me kapacitet modest të mjeteve likuiduese”, thuhet në raportin e BPM. Prej aty tregojnë se në kushte të ambientit jo të volitshëm të vendit dhe paqëndrueshmërisë në rritje për trajektoren e konsumit në vend, ekziston rreziku që shumica e ndërmarrjeve që vazhdimisht shënojnë humbje të mos mund të vijnë deri tek burimet e nevojshme të financimit dhe të ballafaqohen me probleme në punën e tyre.

Për ndryshe, në fund të vitit të kaluar, numri i subjekteve juridike mbi të cilat është hapur procedurë falimentimi ka shënuar ulje prej mbi 13 për qind, me çka edhe shkalla e përafërt e subjekteve të falimentuara juridike është ulur për 0.6 pikë në vitin 2015 (prej 3.8 për qind në 3.2 për qind). Megjithatë, numri i subjekteve juridike me llogari të bllokuara të transaksionit, pavarësisht shkakut të bllokimit, në bazë vjetore është rritur për 5.5 për qind dhe është në nivel relativisht të lartë, me pjesëmarrje në numrin e përgjithshëm të subjekteve të regjistruara juridike në fund të vitit 2015 prej mbi 32 për qind.

“Kjo pjesëmarrje e subjekteve me qasje të bllokuara deri tek shërbimet pagesore, në kombinim me numrin e lartë dhe të qëndrueshëm të subjekteve afariste që shfaqin humbje nga puna, si dhe indikatorët për ditët e pagesës së kërkesave dhe pagesë të obligimeve, paraqesin sinjale për nënvlerësim të mundshëm të shkallës së procedurave të hapura falimentuese, që ndoshta tregon për ekzistimin e rrethanave kur kreditorët kanë motive për vonim ose taktizim të qëllimshëm me parashtrimin e kërkesës formale për hapje të procedurës falimentuese”, thonë në BPM. Kryesisht, në pajtim me Ligjin për falimentim, procedura falimentuese mund të zbatohet me propozim për hapje të procedurës falimentuese, e parashtruatr deri tek gjykata kompetente, nga ana e vet borxhliut, debitorit ose person tjetër i autorizuar me ligj. Në praktikë, zakonisht kreditorët janë ata të cilët parashtrojnë propozimin e këtillë deri tek gjykata kompetente.

“Megjithatë, shpesh ndodhë kreditorët të mos jenë të gatshëm të lëshohen në procedurë falimentuese përmes parashtrimit formal të propozimit deri tek gjykata për hapjen e saj, për shkak të qëndrimeve të tyre të ndërtuara që janë si demotivuese, si për shembull: mendimi për kohëzgjatjen e procedurës dhe mundësive procedurale për anulimin e tyre, shuma e shpenzimeve për ecurinë e procedurës falimentuese, përqindja relativisht e ulët e kërkesave në procedurë falimentuese dhe të ngjashme”, theksojnë në BPM.

Sipas indikatorëve për procedurat falmentuese, të prezantuara në raportim e Bankës botërore për udhëheqje të biznesit në vitin 2015, koha mesatare për kompensim të tërësishëm ose të pjesërishëm të kërkesave falimentuese nga kreditorët është 1.8 vjet, shpenzimi mesatar për udhëheqje të procedurës falimentuese është 10 për qind të vlerës së pronës së borxhliut falimentues, ndërsa shkalla mesatare e pagesës (kompensimit) të kërkesave falimentuese është 44.1 për qind. /KOHA/

Comments