Në Tetovë i rrahin policët, në Gostivar i ofendojnë

264
Në Tetovë i rrahin policët, në Gostivar i ofendojnë

Në Tetovë policët më shumë sulmohen dhe rrihen, kurse në Gostivar ofendohen. Të paktën kështu thonë statistikat zyrtare të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Sipas zëdhënësit Marijan Josifovski, brenda gjashtë muajve të këtij viti ka pasur tetë raste të ofendimeve dhe kërcënimeve ndaj pjesëtarëve të policisë së Tetovës. “Gjatë shtatë muajve të kaluar të këtij viti, në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme janë regjistruar 8 raste të ofendimeve ndaj pjesëtarëve të policisë. Shtatë raste janë regjistruar në rajonin e Gostivarit, kurse në rajonin e Tetovës vetëm një rast. Gjatë vitit të kaluar, numri i rasteve të këtilla ka qenë 13, gjegjësisht në Tetovë gjashtë, ndërsa në Gostivar shtatë. Edhe rastet e vitit të kaluar, edhe të këtij viti janë rrumbullakuar me padi adekuate”, tha Josifovski. Megjithatë, nuk janë vetëm ofendimet, kërcënimet dhe pengimet gjatë kryerjes së punës së përditshme të policisë, por nuk mungojnë edhe rastet kur të njëjtit sulmohen. Në pjesën e parë të këtij viti janë regjistruar edhe sulme fizike ndaj tyre. “Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë evidentuar tre sulme ndaj pjesëtarëve të policisë dhe dy pengime për kryerjen e detyrave zyrtare. Në ndërkohë, gjatë vitit të kaluar në gjashtë muajt e parë janë regjistruar shtatë sulme dhe një pengim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Nga shtatë sulmet e vitit të kaluar ndaj pjesëtarëve të policisë, gjashtë kanë qenë në Tetovë dhe një në Gostivar”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në  Tetovë, Marijan Josifovski.

Rasti më eklatant ishte kur katër policë të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë ishin lënduar rëndë gjatë një sulmi nga disa banorë në lagjen e njohur tetovare, Cetinskë. Nga rrahja me shufra prej metali, dy policë kishin marrë plagë të rënda dhe kanë qëndruar gjatë kohë në Klinikat e Shkupit. Në ndërkohë, rasti më i freskët është regjistruar para Spitalit Klinik të Tetovës, kur dy polic janë sulmuar fizikisht. Ngjarja ka ndodhur këtyre ditëve kur dy persona u kanë zënë rrugën policisë po ashtu që kanë qarkulluar me veturë zyrtare. “Ngjarja ka ndodhur para Spitalit Klinik të Tetovës kur dy personat të moshës 30 vjeçare me veturë Opel Korsa kanë penguar pjesëtarët e policisë që kanë qarkulluar me automjetin e tyre. Përderisa njëri prej policëve u ka treguar për kundërvajtjen, njëri prej tyre e ka goditur në kokë. Personi i njëjtë nuk i ka lejuar policit që të dalë nga vetura dhe me këmbë e ka goditur të njëjtën. Më pas ka dalë edhe vozitësi dhe është drejtuar kah vetura e policisë, por është penguar nga një pjesëtarë tjetër i policisë. Në ndërkohë, të njëjtit janë arrestuar, është biseduar dhe më pas janë lëshuar. Të njëjtit do të përballen edhe me padi adekuate”, njofton policia e Tetovës. Rastet e mospërfilljes së policisë janë të shpeshta, sidomos në komunikacion. /KOHA/

Comments