Në vitin 1913 u bënë vrasje masive në Kërçovë me rrethinë

512

auto_veb1476225615

Vebi Xhemaili

Në fshatin Zajaz në fillim u masakruan 40 burra, të cilët u hodhën në pus, nga një bandë çetnike-serbe. Ndërsa në muajin tetor nga po i njëjti fshat u vranë mbi 200 burra dhe mbi 800 libra u dogjën

Komanda serbe për  ta shuar kryengritjen e Shtatorit të vitit 1913, kishte paraparë sulmin kundrejt Dibrës në tre drejtime, i pari ishte drejtimi: Manastir-Ohër-Strugë, i dyti Tetovë-Gostivar-Mavrovë dhe drejtimi i tretë  ishte, Kërçovë fshati Izvor-Dibër. Vija e rezistencës tani më tërhiqej nga Struga, Kërçova, Gostivari e sidomos  në rrethin e Mavrovës.[1]

Me ardhjen e forcave të reja nga Shkupi  dhe Prilepi ushtria serbe e filloi ofensivën e saj të dytë dhe kori fitore pranë fshatit Izvor dhe malit Jama dhe vazhdoi marshimin në drejtim të Gliçnikut. Ushtria serbe me luftë e  pushtoi përsëri Kërçovën më 28 shtator 1913. Kjo vërtetohet edhe në raportin ushtarak të njësitit serb Lazareviq, i cili lajmëronte komandantin e Armatës së III,  “se pas  luftimeve me shqiptarët e mora përsëri Kërçovën me njësitin tim”.[2]  Me këtë rast në qytetin e Kërçovës u vranë 70 burra, nga të rrahurit dhe trupat e tyre u dogjën, këtë e verifikon komisioni Ballkanik, i cili vazhdon më poshtë: në fshatin Plasnicë u gjetën 6 të vrarë dhe 40 të tjerrë ishin vra në muajin tetor dhe ishin djegur 5 shtëpi. Poashtu edhe shumë fshatra tjerë për rreth Kërçovës u dogjën dhe meshkujt u vranë dhe u masakruan. Në Kërçovë ndër të parët u vra Hoxha i qytetit.[3]

Kërçova pas kryengritjes së Dibrës u shndërrua në kryqëzatë kryesore të operacioneve luftarake, ajo në mësymjen e dytë pësoi terror të paparë, sipas projektit që e realizoi banda çetniko-serbe midis Gostivarit dhe Kërçovës, që e kishte përgatitur me kohë nënprefekti dhe çetniku i njohur në Kërçovë me rrethinë, i ashtuquajturi vojvoda Brkiq,[4]  me të vepronte Stanko Dimitriveviq dhe  Mihajllo Josifoviq (Mikajl Brodit). Ndërsa në fshatin Zajaz në fillim u masakruan 40 burra, të cilët u hodhën në pus, nga një bandë çetnike-serbe. Ndërsa në muajin tetor nga po i njëjti fshat u vranë mbi 200 burra dhe mbi 800 libra u dogjën.[5] Këto forca çetnike përsëri iu vërsulën Kërçovës ku vranë mbi 184 vetë.[6]

Siç njofton i njëjti ushtarak, “se çeta e kapitenit Danil Belimarkoviq edhe pse qëndroi heroikisht, prapë se prapë regjimenti i tretë në përleshje me vendasit çeta e Danillit humbi 40-50 njerëz. Nga humbjet që pësoi ushtria jonë (serbe) në luftimet kundër mbrojtësve të këtij katundi dhe katundarëve përreth, u hakmorëm duke e djegur Zajazin” dhe duke vrarë mbi katërdhjet fshatarë.[7]

Në këtë kohë lufte në Kërçovë dhe rrethinë pushtuesi  serb e drejtonte nëpërmjet organeve ushtarako-policore. Për ta pasur popullin nën kontroll të plotë, pushtetmbajtësit e ndanë Kërçovën në 14 komuna, ku administrativisht përfshiheshin 78 fshatra-vendbanime. Për seli të komunave zgjodhën vendbanimet e banuara me popullsi, siç i quanin ata, serbe, që ishin të besimit ortodoks. Kështu Zajazi me rrethinë, që përbën një tërësi rajonale, ku fshatrat prej Zajazit ndaheshin vetëm me një megjë, rrugë, përrua apo çukë kodre, u ndanë në tri komuna: Zajazi, Kollara dhe Baçishti në komunën e Milincës, Drogomishti i Madh dhe Dragomishti i Vogël në komunën e Premkës dhe Greshnica, Dllapkindolli, Reçani i Zajazit, Leshnica, Trapçindolli dhe Kolibari në komunën e Osllomesë. Një situatë e njëjtë ishte edhe me fshatrat e tjerë shqiptarë. Kjo ndarje administrative e pushtetit ushtarako-policor serb kishte të vetmin qëllim t’i kombinojë masat administrative, territorin e ushtrisë e të policisë dhe veprimtarinë propagandistike për të mbytur kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare në këto treva.

Presionet, rekrutimet me dhunë në të ashtuquajturat “batalione vullnetare”, grabitjet e të mirave materiale, bagëtive, marrja e njerëzve në punë angari, tatimet e renda të disa llojeve që ishin të papërballueshme nga popullata e kësaj ane bënë që i ashtuquajturi “çlirimin serb” lufta ishte për një pastrim etnik.[8]    Zajazi ishte në shënjestër të hakmarrjes së forcave të armatosura serbe. Zajazin me rrethinë e priste i njëjti fat si Pesoqanin, Sopin, Starocin, Braqanin (Tekja e Madhe), e shumë e shumë fshatra të tjerë.

Një masakër e organizuar ndodh edhe kur sulmohet komuna Reshtanit nga kaçaku Ali Dedja me pretekst se gjoja ky po fshihet në fshatin Greshnicë. Çetnikët serb në këtë fshat i mblodhi tërë fshatin dhe nga ai grumbull fshatarësh morën 12 vetë për ti çuar në fshatin Zajaz. Por më vonë endëruan mendjen duke i pushkatuar te proi i Plakës këta  fshatarë: Rufat Daljen, Lazam Daljen, Rrahit Abazin, Sadin Ramën, Qerim Tarin, Beqir Maksutin. Mirëpo, siç pohojnë më të vjetrit e fshatit, kur kanë shkuar t’i sjellin kufomat, janë gjetur jo 6, por 14 të vrarë, prej tyre edhe 3 kanë qenë fëmijë. Pastaj u vranë në fshatin Tuhin 5 vetë, në fshatin Pllasnicë u vranë 6 vetë, ndërsa pas shuarjes së kryengritje u vranë mbi 40 vetë, dhe u dogjën 5 shtëpi.

Në fshatin Llapkindoll u masakruan 26 veta, ndërsa fshati u dogj. Në fshatin Llagje u masakruan 5 veta, në fshatin Kolibar u masakruan 6 veta.  Në fshatin Kollar, u masakruan 7 veta.[9] Poashtu nga një bandë serbe ishte plaçkitur edhe Leshnica, Dragomishta, Tuhini e shumë fshatra tjerë. Gjenocidi serb në këto anë i ushtruar mbi popullsinë shqiptare në vitet 1912-1913, madje ka vazhduar edhe më vonë, edhe gjatë sundimit bullgar nga viti 1915-1918, ka pasur gjenocid. Ata, bëheshin me të vetmin qëllim që nëpërmjet jetës së padurueshme, së pari nëpër fshatra ku kompaktësia ishte më e madhe, të bëhej shpërngulja masive, Për të sunduar më lehtë herë regjimi serbë, e herë bullgarët deri në vitin 1918. Siç dihet kah fundi i vitit 1918 në këto treva u vendos përsëri Mbretëria SKS. E cila pati jetë deri në vitin 1929, kur u shpallë Mbretëria Jugosllave 1929-1941, ku pjesa më e madhe  trevave lindore shqiptare hynë nën administratën e Banovinës së Vardarit deri me kapitullimin e Jugosllavisë më 7 prill 1941.

[1] HHStA, PAA, Telegram i Zitkovskit nga Manastiri drejtuar Vjenës, më 8 tetor 1913.[2] Limon Rushiti, Disa të dhëna nga dokumentacioni i ushtrisë serbe-Armata e III, mbi Kryengritjen Shqiptare të Shtatorit 1913, “Jehona” nr. 6. 1994 f. 99.[3] Britanskite konsulli vo Makedonija (dokumenti), 1797-1915, Shkup 2002, f. 436.[4] Telegrami nr. 122 nga Manastiri i konsullit austriak dërguar Vjenës,  më 2 tetor 1913; emri i plotë i këtij çetniku serb, Boge, sipas të dhënave që disponojmë, është Boshko Virjanac.[5] Poraneshnite ballkanski Vojni, f. 222. AIH-Tiranë,  nr dos, 23 / 9/907 “Ditari”, i Kolone Mitzel , më 29. X. 1913,; Prof Arben Puto “ Çështja shqiptare ne aktet ndërkombëtare “, V. II (1912-1918), Tirane 1987, f. 96.[6] Petar Stojanov, Makedonija vo vremeto…, f. 311.[7] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim.., f. 181.[8] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918,…, f. 173.[9] “Përlindja e Shqipërisë”,  18 vjeshtë e II, f. 5,  Vlorë 1913.,

Comments