NESËR PROTESTA E REVOLUCIONIT TË LARMË PËR PPS, SPASOVSKI: PA DALLIM KUSH PROTESTON, DO MBAHET RENDI PUBLIK
Nga nesër rikthehen protestat e Revolucionit të Larmë në mbështetje të Prokurores Publike Speciale. Zamir Mehmeti nga kjo lëvizje theksoi se protestuesit do të mblidhen para Kuvendit për ti dhënë mbështetje Prokurorisë Publike Speciale, ndaj së cilës sërish kanë nisur sulmet.
“Duke u bazuar tek intervista në televizionin shtetëror dhe pastaj kur doli një material i pa montuar, Katica Janeva kishte një presion direkt ndaj prokurorisë speciale dhe andaj ne si aktivistë qytetarë, si bartës të Revolucionit Shumëngjyrësh kemi vendosur që nesër të bëjmë një tubim, një mbledhje para parlamentit në ora 17 për të shprehur përkrahjen për Prokurorin Speciale”, u shpreh Zamir Mehmeti, Revolucioni i Larmë.
Sipas tij, Gjykata kushtetuese duhet të prononcohet për ligjin e PPS-së, të ndalen obstruksionet, dhe gjykatat të mos zbatojnë standarde të dyfishta, kur bëhet fjalë për PPS-në dhe për prokurorinë Publike të udhëhequr nga Marko Zvërleski.
Një ditë para protestës, ministri i brendshëm Oliver Spasovski deklaroi se pa dallim se kush do të protestoj, duhet të mbahet rendi publik.
“Ministria e Punëve të Brendshme pa dallim se kush po proteston duhet të mbaje rend publik dhe normalisht që duhet ti respektohet e drejta e secilit që do të protestoj, kurse policia duhet të jetë profesionale pa ndonjë subjekt dhe pa dallim se kush do ta mbaj protestën unë mendojë se do të bëhet një punë profesionale”, tha Oliver Spasovski, ministër i MPB.
Revolucioni Larmë rikthehet në rrugë pas protestave disamuajshe që vazhduan deri në korrik, kur katër partitë kryesore arritën marrëveshje për plotësimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Përzhinës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.