Nga arançata e kohës së Enverit krijova industrinë e parë të pyjeve në Shqipëri

271
fresco

midle

Në qytetin e Beratit thonë se në çdo stinë ka aroma dhe shije. Vërdallë qytetit të rrethon ajri i pastër dhe diku në një shtëpi të vjetër vinte erë drush të djegur, tym ishte në fund të fundit, por kishte tjetër aromë. Diku, përtej kishte një furrë buke që ishte në procesin e pjekjes e mafisheve. Dikur, në kushte artizanale disa beratas tregojnë se gjyshërit i piqnin mafishet me gazetë te soba me dru dhe fëmijët përfshiheshin gjithë ngazëllimin gjatë procesit të bërjes së tyre. Pastaj, në ardhje të pranverës kishte aromë dorëzonjash e trëndafilash të vegjël, nga ata që rriteshin mbi dyert e shtëpive përdhese. Diku nuhatje edhe aromën karakteristike të domateve që mbase ishte edhe aromë kimikatesh, po kalimtarët sa herë e ndiejnë edhe sot, mendojnë që ajo domate duhet të jetë e mirë, vetëm sepse ka atë aromë.

“Ky qytet ka histori, nostalgji të paçmueshme. Rrënjë dëshmish që tregojnë të shkuarën, atë të pakthyeshmen. Prodhon, konsumon dhe furnizon.”, thotë një burrë i moshuar që po lexonte gazetën e mëngjesit në stolin e pedonales së qytetit. Fermat e mëdha shtetërore si edhe industritë e përpunimit të ushqimit dhe të pijeve kanë patur Beratin si qendrën kryesore. Në mendjet e njerëzve ka mbetur akoma pija e preferuar e tyre para viteve ’90, arançata, e cila pas hovit të madh të industrive të pijeve freskuese u zhduk tërësish nga tregu i konsumit shqiptar. Dhimitër Mbreshtanakun e takojmë në dalje të qytetit të Beratit. Rreth 23 vite më parë Dhimitri së bashku me dy miqtë e tij rindërtuan nga e para industrinë e përpunimit të pijeve, e cila është ekzistente edhe sot.

“Pas mbylljes së fabrikave dhe rënies së komunizmit filluan të zhdukeshin dalëngadalë gjithë prodhimet e ndërtuara të kohës. Në atë kohë isha 25 vjeç dhe si çdo djalë i moshës time dëshira ishte të kisha sa më shumë të ardhura në mënyrë që të siguroja një të ardhme të mirë për familjen time. Nuk iu sula emigracionit, si shumë miqtë e mi. Megjithëse, e pranoj, më tundonte shuma e fitimit që mernin shokët e mi. Dhe kështu ndejta në vendin tim. Kam punuar për afro 4 vite në fabrikën ku prodhoheshin arançatat në atë kohë”, thotë Dhimtri, ndërsa na tregon nostalgjinë me të cilën e kujtojnë njerëzit pijen e dikurshme. “Ooh, arançatat! Ato kanë qenë të mira. Kështu i mbajnë mend të gjithë. Por, atëherë nuk kishte gjë tjetër në treg dhe iu dukej gjë e mirë. Kudo ku shkoj thonë se iu ka mbetur në mendje, por nuk kanë lidhje me teknologjinë e sotme që prodhohen pijet. Arançata ishte vetëm ujë me bojë, me aromë dhe me gas. Unë kam punuar atje dhe e di mirë sesi përpunohej dhe prodhohej. Ajo shitej e ftohtë dhe servirej me akull. Kushtonte 5 lekë dhe ishte 1 litër. Dhe mua birrat fillimisht më dukeshin të mira. Dhe krikot që pinim në park. Por, kanë qenë më tepër me ujë se nuk kishte tjetër dhe ndaj na dukeshin si më të mirat”, tregon Dhimitri me nostalgji.

Mirëpo vështirësia më e madhe për të dhe të dy miqtë e tij do të ishte në fillesat e hapjes së biznesit, pasi, siç e tregon Dhimitri, mundësitë ekonomike në vitin 1992 ishin të pakta. “Ndërmarrja ka qenë shtetërore. Menjëherë pas rrëzimit të sistemit doli edhe ligji për privatizimin e ndërmarrjeve dhe ish-punonjësit që dëshironin ta blinin, iu lindte e gjithë e drejta për këtë veprim. Dhe kështu bashkë me shokët bëmë edhe kërkesën. Në atë kohë na kushtoi një djall e gjysmë. Vajti rreth 15 milionë lekë të vjetra, që i thonë afro 21 miliardë lekë sot, në një kohë kur vetëm pesë mijë lekë të vjetra ishte rroga mujore. Të gjithë ishin kundra dhe shprehnin habi. Më kujtoheshin ekonomistet e ndërrmarjes tek na thonin “o çuna ku do të shkoni me këtë nismë”. Babai im ka qenë shef në elektrik, mami rrobaqepëse. Jam detyruar t’i mar borxhbabait 200 mijë lekë të vjetra. Mirëpo, 200 mijë lekë të vjetra, në atë kohë ishte kapital i madh. Ndërkohë, në fabrikë, duhej të ndërtohej gati çdo gjë nga e para. Këtu kanë qenë disa arka të ndryshkura. Ndërsa me kalimin e kohës i ndërtuam të gjitha të reja dhe me investime”. Edhe pse djemtë e rinj kishin dëshirën për të sjellë diçka ndryshe në treg, e cila të ishte e pëlqyeshme për konsumatorët, ata zgjodhën që fillimisht të vazhdonin prodhimin e arançatave duke ruajtur disi edhe traditën e përpunimit. Mirëpo, edhe pse me një eksperiencë në këtë industri, Dhimiri rrëfen se hoqën dorë shumë shpejt nga prodhimi i kësaj pije.

“Punuam një vit me arançatat me të njëjtën teknologji që para viteve ’90 për të mos u larguar direkt nga produkti i dashur për shqiptarët. Mirëpo, nuk eci. Mesa duket, njerëzit pas sistemit kanë dashur të fshijnë gjithçka. Dhe kështu filluam me pijet frekuese që kanë qenë me bidona plastikë. Kishte një shitje të jashtëzakonshme. Vetëm në vitet 1995-1996 njerëzit ishin të etur për të konsumuar. Më kujtohet që në ato vite një bidon Cola e mbanin për bukuri në bufe. Ka patur mungesa të shumta, sidomos në lëndën e parë. Kur erdhi kamioni nga Greqia me lendë të parë, thamë ç’po ndodhte, ishte një habi për ne sepse nuk kishte. Ndërsa, në vitin ‘93 erdhi një italian në kompani dhe më tha “Si jeni ju shqiptarët, keni etje për prodhim”- Po te juve i thashë, si është? “Te ne e kundërta shtoi. Kemi prodhim, por s’dimë ku ta shesim”. Ajo kohë jo më shumë se 10 vite erdhi këtu.Tregu filloi të lulëzonte dhe ne mbaheshim vetëm me konsum të brendshëm. Vetëm më pas kohërat ndryshuan. Sot, nuk po gjejmë klientë, konsumatorë, se çdo gjë është e realizuar”- përfundon Dhimitër Mbreshtanaku.

Të dhënat

Industria e prodhimit të pijeve freskuese dhe alkoolike është sunduese në raport me degët e tjera të agroindustrisë në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, janë mbi 70 ndërmarrje dhe linja prodhimi private vendase dhe me kapital të huaj, që merren me prodhimin e pijeve alkoolike dhe atyre freskuese. Sipas të njëjtave burime, prodhimi i këtij sektori gjatë vitit 2015 ka qenë 5 deri 6 herë më i madh në krahasim me vitin e kaluar. Për rrjedhojë dhe artikujt e realizuar kanë qenë të shumtë dhe kanë furnizuar çdo cep të tregjeve shqiptare. Industria e pijeve freskuese, sipas të dhënave zyrtare, mbulon 60% të kërkesave të tregut vendas, por pjesa më e madhe e këtij prodhimi importohet kryesisht nga Italia dhe Greqia. Ky sektor vitet e fundit ka marrë një shtrirje të gjerë në shumë qytete të vendit, por industritë kryesore ngrihen në Tiranë, Berat, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Fier etj.

Mungon lënda e parë, edhe frutat vijnë nga importi

Megjithëse Shqipëria ëshë e njohur për një bujqësi të zhvilluar dhe rritje të hapësirave të mbjella në frutikulturë, duket se kjo e fundit nuk është e mjaftueshme kur bëhet fjalë për industritë e përpunimit. Dhimitër Mbreshtanaku tregon se rreth 90 % e lëndës së parë në fabrikën e tij vjen kryesisht nga importi, pasi në tregun shqiptar nuk ka sasi të mjaftueshme. “Gjithçka vjen nga importi. Koncetrate frutash, lëngje të përgatitur, të gjitha vijnë nga jashtë. Këtu nuk ka fruta. Para 3 muajve mora sasi molle në vend për të provuar të prodhoja me lëndën tonë. Mirëpo nuk ishte e mjaftueshme. Në muajin kur unë dua të kem pjeshkën, që është produkti kryesor për lëngjet dhe më i konsumueshëm, nuk e kam. Dhe e kam zgjidhur këtë mungesë duke marrë pure të gatshme. Një pjesë e mirë e tyre vjen nga tregtarët. Kanë hapur një përfaqësi të tyren në Tiranë dhe produktin që kërkon e sjellin këtu brenda 24 orëve. Sot, gati gjithë kompanitë e botës i janë sulur Shqipërisë. “Shiko këto janë mostra” na thonë. Vijnë nga Holanda dhe Danimarka duke ofruar dhe konsulencë falas, vetëm me qëllim që të blesh. Tani të vijnë të luten të gjithë. Para dy vitesh ishte një periudhë e vështirë. Lëvznim gjithë botën për të siguruar lëndën e parë”, tregon 48-vjeçari. Ndër të tjera, Dhimitri rrëfen edhe vështirësitë që ka ende sot me konkurencën në treg, e cila sipas tij është më e dëmshmja për këtë lloj biznesi. “Konkurenca është e para që na dëmton. Luhet me çmime të ulëta dhe nuk mbulohen shpenzimet. Ne jemi me kredi sepse nuk ia dalim dot. Na ka marë shpirtin kredia. Ne punojmë dhe lajmë bankën, punojmë dhe bëjmë investime. Prodhimet tona shkojnë në treg 80 -90 lekë. Ndërsa nga këtu del rreth 40-45 lekë. Unë kam dëshirë të punoj dhe të fitoj, por më dëmton konkurenca. Gjithë ditën e kaloj këtu. Gati 16 orë rri në fabrikë. Bëj pushim vetëm datën 1 dhe 2 janar dhe to ditë mezi i pres”, thotë Mbreshtanaku duke buzëqeshur, ndërsa shton për vështirësitë dhe problematikat e biznesit. “ Është biznesi më i vështirë. Xhiro ka rënë, konsumi po ashtu. Ne mundohemi të shtojmë artikuj që të rrisim edhe shitjet, por puna mbetet në vend. Tani nuk kam çfarë të shtoj më. Ndonjëherë shterojnë fuqitë”, përfundon ai.

Arançatat

Të gjithë ata që kanë provuar arançatat e famshme,tregojnë për shijen e mirë të këtij produkti. Bëhet fjalë për pijen që gjithë fëmijët e donin aq shumë para viteve ‘90. Ngaqë nuk kishin pije tjetër, apo ngaqë ishte shumë e mirë, kjo mbetet ende në dilemë. Kjo pije ka nostalgjikët e saj, të cilët thonë: “S’kam shijuar në asnjë vend arançata si ato që kishim në Shqipëri.

Berati

Berati është qytet me rreth 65.000 banorë dhe njëra nga dy bashkitë e Rrethit të Beratit që bën pjesë në Qarkun e Beratit. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë. Qyteti është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum.

Frutikultura

Në fund të viteve ’90, vendi kishte rreth 10 milionë rrënjë frutore, me një prodhim të përgjithshëm prej 80 mijë tonësh në vit. Kishte gjithashtu 45 mijë hektarë ullishte, me rreth 30 mijë tonë prodhim vjetor, 1600 hektarë agrume, me 1.1 milion rrënjë, 6 milion rrënjë pjergulla dhe 20 mijë hektarë vreshta. Ndryshimi i sistemit, në fillim të viteve ’90 solli një përmbysje të madhe në sektorin e frutikulturës. Për shumëkënd, ky ndryshim simbolizohet me shkatërrimin e brezareve të Jugut dhe të fermave të mëdha bujqësore. Ndryshimi i marrëdhënieve të pronësisë mbi tokën, plakja e rrënjëve të mbjella shumë vite më parë, rënia e skemave shtetërore të organizimit dhe shpërndarjes, punimit të sipërfaqeve të mbjella, sistemeve të ujitjes dhe plehërimit, janë të gjithë faktorë që kanë përcaktuar situatën që kemi sot.

Para viteve ’90

Ndërmarrjet e dikurshme bujqësore dhe fermat apo kooperativat, ju përkushtuan për shumë vite krijimit të masiveve frutore, ullishteve e vreshtarisë, pas një studimi të hollësishëm nga shteti, të kushteve klimatike, mjedisit, planeve urbanistike të qyteteve e rrugëve kombëtare. Asokohe u dha porosia, për shembull, që kurorat rreth qyteteve dhe hapësirat anash rrugëve kombëtare, duheshin mbjellë me drurë frutorë nga më të ndryshm.

Comments