Njëri prej fëmijëve të Rexhim Ganit nga Ohri tanimë dy vite çdo mëngjes udhëton me autobus deri në Strugë për të ndjekur procesin arsimor në gjuhën shqipe, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kjo për shkak se në Ohër nuk ka paralele në gjuhën shqipe në ndonjërën prej shkollave të mesme të qytetit. Rexhim thotë se një gjë e tillë përbën ngarkesë shtesë për fëmijët ndërsa rëndon edhe buxhetin e familjes.

Nga shkolla e elektro-makinerisë “Shën. Naum Ohridski” televizionit Alsat-M i kanë thënë se edhe këtë vit është shpallur konkursi për hapjen e dy paraleleve në gjuhën shqipe për teknik trafiku dhe teknik – energjetik, porse nuk është paraqitur asnjë nxënës.

“Është një përqindje e vogël që regjistrohen në paralelet maqedonase. Nuk kam shifër të saktë se sa është përqindja e nxënësve shqiptarë. Bëjmë prezantimin edhe nëpër shkolla dhe konkursi është publik, nuk ka fshehtësi”, tha Jane Canoski, drejtor i QSHEM.

Por, disa nga përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Ohër vlerësojnë se profilet që ua ofrojnë të rinjve shqiptarëve në Ohër nuk janë tërheqëse. Më shumë interes ka për drejtimet e gjimnazit, ekonomisë dhe mjekësisë.

Drejtori i shkollës fillore “Vëllazërim Bashkim” Muamer Doko në të cilën procesi arsimor zhvillohet në gjuhën shqipe, thotë se deri më tani ka pasur disa nisma për hapjen e paraleleve të gjimnazit në gjuhën shqipe në Ohër, por kanë përfunduar pa sukses. Ndodh që një pjesë e nxënësve të mos udhëtojnë deri në Strugë, por qëndrojnë në Ohër dhe procesin mësimor e ndjekin në gjuhën maqedonase.