Përmbytjet, Panariti: Në 5 orë ranë 110 milimetra shi

Situata e përmbytjeve në Bashkinë Kurbin gjatë orëve të fundit ka shkaktuar diskutime në komisionin e Veprimtarive prodhuese ku ka qenë i ftuar ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.
Deputeti demokrat Helidon Bushati e vlerësoi të rëndë gjendjen në një kohë që qeveria vetëm flet për investimet në kanalet kulluese. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe deputeti Agron Duka.

“Mjafton 30 minuta shi në Laç, dhe përmbytet Laçi. Përmbytet Durrësi, përmbytet Tirana dhe zonat rurale. Zt. Ministër janë kompetencë e ministrisë suaj, kanalet e mëdha, hidrovoret”, tha Bushati .
“Duhet t’i thoni kryeministrit se kanalet kulluese nuk pastrohen një herë dhe mbaron puna, por pastrohen në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi Duka.
Kurse ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka shpjeguar se përmbytjet kanë ardhur si pasojë e reshjeve intensive të rëna brenda pak orëve. Panariti tha se kanalet kulluese dhe hidrovoret janë në funksion të plotë por që nuk kanë mundur ti bëjnë ballë vrullit të reshjeve.
“Problemi është edhe meteorologjik pa dashur të justifikohem. Për pesë orë ka qenë një lloj cikloni, në 5 orë ke 110 mm shi. Jo në Shqipëri, por kudo nuk ka kanal që mund ta mbajë atë”, tha Panariti.
Emergjencat civile bëjnë me dije se për shkak të reshjeve të rëna në Kurbin ndodhen nën ujë rreth 50 banesa dhe janë përmbytur 1500 hektarë tokë bujqësore.