Plani i SHBA për Shqipërinë gjatë 2017, 14 mln dollarë për të luftuar korrupsionin, trajnime speciale për arrestime VIP

92

Moebel THEMA

donald lu

 

 

 

 

Politikanët, gjyqtarët, prokurorët dhe gjithë zyrtarët e korruptuar, shumë shpejt pritet që të japin llogari. Teksa me reformën në drejtësi është rritur shpresa për luftë ndaj korrupsionit, duket se mbështetja më e madhe do jetë nga amerikanët.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar së fundmi buxhetin që SHBA do të shpërndajë në 2017 për vendet aleate, bashkë me planet dhe synimet e saj gjatë këtij viti. Për Shqipërinë do akordohen 14.090.000 dollarë dhe shumica do shkojnë për luftën ndaj korrupsionit, trajnime dhe pajisje. Ndërsa një pjesë tjetër do shkojë për ushtrinë, për policinë dhe për shoqërinë civile.

Mes planeve të SHBA për 2017 është trajnimi dhe asistenca teknike për prokurorinë, me qëllim luftën ndaj korrupsionit deri në nivele të larta. Duke qenë se me reformën në drejtësi nuk do ketë Prokurori të Krimeve të Rënda, por do jetë ajo Speciale Antikorrupsion, fondet do shkojnë për këtë të fundit. Pra, përveçse FBI, do ndihmojë në këtë proces, prokurorët amerikanë që do zhvillojnë trajnime antikorrupsion. “Fondet do të përdoren për të përmirësuar Shkollën e Magjistraturës.

Për të edukuar gjyqtarët dhe prokurorët mbi detyrat e tyre specifike, si dhe për të mbështetur një sistem ligjor sa më transparent që lufton korrupsionin. Përmes programeve, do ofrohet asistencë teknike për të forcuar aftësitë e Prokurorisë dhe të Njësisë së Krimeve të Rënda, për të ndjekur penalisht, arrestuar dhe gjykuar rastet e krimeve të rënda dhe korrupsionit”, thuhet aty. Duke qenë se korrupsioni ushtrohet nga pushtetarë, atëherë do ketë trajnime për arrestime VIP, raporton gazeta Sot. Nga ana tjetër thuhet se përmes USAID, do të punohet për të përmirësuar sistemin gjyqësor, sidomos në mbylljen e çështjeve sa më shpejt. Një tjetër plan i SHBA është forcimi i gazetarisë investigative me qëllim rritjen e luftës ndaj korrupsionit.

Integrimi në BE

Në dokumentin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit theksohet se Shqipëria po punon fort për integrimin në BE dhe mësohet se SHBA do japë asistencë në këtë aspekt. “Në vitin 2015, BE vuri si kusht përmbushjen e një sërë kritereve për të hapur negociatat e anëtarësimit, teksa e vuri theksin te një sërë reformash, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit. Kjo me qëllim rritjen e përpjekjeve për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. SHBA do mbështesë Shqipërinë në rrugën evropiane duke fuqizuar drejtësinë në vend”, theksohet më tej.

Ndihma për policinë

SHBA do të japë një ndihmë të madhe dhe për fuqizimin e policisë. Ashtu si për drejtësinë edhe këtu do të ketë asistencë teknike dhe financiare. “Financimet do përdoren për të ndihmuar dhe trajnuar përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e policisë në zhvillimin strategjive, organizmin e strukturave dhe vlerësimin e performancës. Fondet do përdoren për të shtuar kapacitetet në polici dhe zhvillimin e një politike që prodhon rezultat dhe sjell transparencë. Fokusi do jenë të dhënat operative dhe hetimet duke përdorur mjete të teknologjisë së lartë”, thuhet ndër të tjera aty. Fondet do shkojnë dhe për zbatimin e reformës administrative dhe përmirësimin e qeverisjes.

Comments