Prokuroria Speciale duhet të shqyrtojë rastin e familjes Sinani, 13 vjet padrejtësi në gjykata, spo i kthehet pasuria

163

Selajdin Sinanit nga Luboteni i Shkupit tanimë disa vite nuk po i kthehen mbi 3 mij hektarë tokë të pasur në Patishka Rekë, e cila është tokë e trashëguar e familjes dhe se me denacionalizim duhet ti kthehet atij. Ky rast me vite është sjellë nëpër koluaret e gjykatave, por nuk ka pasur epilog. Selajdini rrëfen për INA se ka përjetuar peripeci të mëdha nëpër gjykata e obstruksione, ku ende nuk po i kthehet kjo pasuri që i takon.

Ai thotë se ky rast patjetër duhet të merret nga Prokuroria Speciale, pasi që mund të jetë në dosjen e përgjimeve.

Sinani kërkon përkrahjen e medieve dhe zbardhjen e drejtësisë në rastin e tij, ku toka po mbahet peng nga institucionet dhe 13 vjet nuk po i kthehet.

Ja rrëfimi dhe dëshmia e plotë 

Në përputhje me ligjin për denacionalizim kam aplikuar për kthimin e tokës apo pasurisë sime që gjendet në zonën malore të Patishka Rekës që shtrihet në komunën periferike të Sopishtes së Shkupit. Bëhet fjalë për mbi 3 mijë hektarë tokë, për të cilën kam tapitë dhe gjitha dokumentet e nevojshme, që dëshmojnë për këtë pasuri të trashëguar nga familja ime dhe që na është nacionalizuar në periudhën e viteve të 50-ta.

Pas gjithë dokumentacionit të kompletuar deri në çdo detaj, institucionet e Maqedonisë për 13 vjet po zvarrisin lëndën time. Të gjitha dokumentet arkivore, skicat, hartat dhe dëshmitë e Kadastrës tregojnë se prona duhet të kthehet, por ajo ka mbet peng e pushtetit gjyqësor, por edhe të komisioneve që vendosin për denacionalizim.

Peripecitë tona kanë nisur me Komisionin që vendos për kërkesat për denacionalizim në komunën e Kisella Vodës. Anëtarët e Komisionit sjellin vendim pozitiv, duke analizuar gjithë dosjen e pronësisë, por vendimi nuk nënshkruhet nga kryetarja e komisionit.

Ne disponojmë me të gjithë dokumentacionin, ku kryetarja e këtij komisioni kishte hezituar të nënshkruaj vendimin pozitiv, dhe se ajo duhet të sqarojë këtë.

Pas këtij vendimi, ka pasuar ankesa në Komisionin e shkallës së dytë në Qeveri për procedura juridike në fushën e denacionalizimit. Ky komision pranon ankesën tonë dhe kërkon që të rishqyrtohet lënda dhe të kthehet prona. Pas rikthimit të lëndës, miratohet vendim për kthimin e plotë të tokës.

Por më pas nga obstruksionet institucionale vjen sërish vendim negativ nga Komisioni për shqyrtimin e lëndëve të denacionalizimit dhe Ministria e Financave.

Duke kërkuar drejtësinë dhe kthimin e pronës sonë jemi detyruar ti drejtohemi gjykatës.

Por edhe këtu kemi hasur në obstruksione dhe padrejtësi të mëdha. Gjykata Themelore  Shkupi 2 vendos negativisht pa pasur verifikuar të gjitha dëshmitë  dhe dosjen e plotë.  Arsyetimi ishte se gjoja nuk janë përcaktu kufijt, kur në dosjen kanë pasur hartat, planin dhe skicat e kadastrës, pasi që punonjësit e këtij institucioni kanë qenë në vendin e ngjarjes, kanë kryer të gjitha matjet dhe kanë pranuar se gjithë dosja është e plotësuar në mënyrë ligjore.

Vazhdojmë ankesën në shkallën e dytë të gjykatave. Gjykata e Apelit rikthen lëndën në shkallën e parë, pas ankesës së bërë. Por tani Gjykata Themelore Shkupi 2 del me argumente dhe arsyetime tjera, duke gjetur mangësi në lëndë. Lënda  ka shkuar në Gjykatën Administrative dhe më pas edhe në Gjykatën e Lartë Administrative, ku kemi bërë ankesë dhe jemi në pritje të vendimit. Në këtë gjykatë, kemi hasur se nuk kanë dosjen e plotë dhe i mungojnë dokumentet faktike dhe dëshmitë që ja kemi deponu. Andaj kemi kërkuar që të kemi qasje në verifikimin e lëndës së dorëzuar, pasi që dyshojmë se vendimet sillen me dosje gjysmake.

Jemi në pritje të vendimit dhe për rastin tonë kemi alarmuar gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, sepse nuk mundet që të konfiskohet apo grabitet prona apo toka e trashëguar brezë pas brezi. Apelojmë që kjo gjykatë ta jap vendimin e drejtë të bazuar në faktet dhe dëshmitë që i ka përpara, dhe të mos niset apo bazohet në vendime apo interesa antikushtetuese dhe kundër të drejtës së pronës së një qytetari.

Kemi informacione se prona jonë është pjesë e interesave dhe pisllëqeve kriminale të pushtetit të deritanishëm, pasi që në tokën tonë tashmë është ndërtuar një hidrocentral i vogël, edhe ate në mënyrë kriminale.

Kërkojmë drejtësi deri në fund dhe do të tentojmë që lënda të shkojë edhe në Prokurorinë Speciale, pasi që dyshojmë se ajo mund të jetë pjesë e lojërave kriminale dhe korruptive të qarqeve institucionale.

Comments