Protesta të dhunshme në Athinë për shkak të vizitës së Obamës (VIDEO)

183
Protesta të dhunshme në Athinë për shkak të vizitës së Obamës (VIDEO)

Pjesëtarët e njësiteve speciale të policisë greke kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok bomba për të shpërndarë rreth 3.000 demonstrues, ithtarë të së majtes ekstreme, të cilët protestuan në Athinë për shkak të vizitës së presidentit amerikan, Barak Obama në Greqi.

Siç lajmëruan mediat greke, gjatë përleshjeve një grua është lënduar më lehtë, ndërsa katër persona janë arrestuar. Përleshjet filluan kur një grup i të rinjve me helmeta të motoçikletave dhe gaz maska dhe të armatosur me shkopinj dhe koktej molotov, tentuan ta depërtojnë kordonin policor dhe të nisen drejt ndërtesës së Ambasadës së SHBA­së në Athinë.

Pas tentimit të pasuksesshëm për ta depërtuar kordonin, demonstruesit u tërhoqën drejt kompleksit të Universitetit politeknik të Athinës, ku sërish u përleshën me policinë ndaj të cilëve kanë gjuajtur koktej molotov. Organizatorë të protestave ishin disa pjesëtarë të së majtes ekstreme dhe grupe anarkiste edhe pse autoritetet paraprakisht ndaluan mbajtjen e demonstratave gjatë vizitës së Obamës. Në të njëjtën kohë, rreth 5.000 ithtarë të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) u mblodhën në protestë të veçantë të qetë në qendër të Athinës kundër vizitës së Obamës.

Në fjalimin në tubim, lideri i partisë Dimitris Kucunbas vlerësoi se vizita e Obamës paraqet “provokim”. Në organizim të KKE-­së, protestë e qetë kundër vizitës së Obamës u mbajt edhe në Selanik, në të cilën morën pjesë rreth 1.000 persona.

Vizita dyditore e Obamës në Greqi, që filloi dje mbahet në dy ditë para shënimit të përvjetorit nga kryengritja studentore e Universitetit politeknik të Athinës në vitin 1973 kundër huntës ushtarake në Greqi, e cila u mbështet me gjithë zemër nga SHBA-­ja. Tradicionalisht, në këtë ditë në organizim të organizatave majtiste në Greqi mbahen protesta antiamerikane.

Comments