Qeveria vazhdon të shpenzojë shumë në objekte me qira
Qeveria e Kosovës vazhdon të lejojë që nga buxheti i vendit të dalin qindra-mijëra euro, para të taksapaguesve, për qira të objekteve që shfrytëzohen nga institucione të ndryshme shtetërore.
Përveç shumave të majme që paguhen për ambasada anë e këndë botës, sfidë për këtë qeverisje mbeten agjencitë dhe institucionet e ndryshme që veprojnë brenda vendit të cilave u duhet të paguajnë qira për objektet që shfrytëzojnë.
Kompania e Menaxhimit të Deponive është një nga shumë organizatat buxhetore e cila qysh prej vitit 2009 vazhdon të mbetet në objekte private. Për më shumë se pesë vjetët e fundit kësaj kompanie i është dashur të paguajë në emër të qiramarrjes rreth 127 mijë euro.
Këtë e tha në një intervistë për “KosovaPress”, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Abdullah Haxhiu.
“Ne kemi bërë kërkesa që nga 2010 në Ministrinë e Administratës Publike, mirëpo nuk kemi pasur ndonjë përgjigje se a kanë mundësi të gjejnë objekte apo jo, fatkeqësisht jemi mbetur këtu ku jemi”, tha Haxhiu.
Haxhiu përveç problemit të kostos së qiramarrjes e sheh si problem tjetër edhe punën e sigurisë dhe për këto arsye ai tha se do të vazhdojnë të kërkojnë për t’u vendosur në një objekt edhe nëse nuk është në kryeqytetin e Prishtinës por në regjion të saj.
Në anën tjetër, Arton Demhasaj, nga Organizata “Çohu”, tha se pjesa e qirasë është një ngarkesë shumë e lartë buxhetore për institucionet të cilat veprojnë në kuadër të Qeverisë. Pagesa e qirasë për këto institucione të cilat janë të vendosura në objekte private, rrit koston buxhetore dhe njëherësh e dëmton buxhetin e vendit, tha për KosovaPress Demhasaj.
“Konsideroj që është një ngarkesë e lartë buxhetore që i bëhet sidomos disa institucioneve ose agjencive që duhet të paguajnë qira për objektet që i shfrytëzojnë. Kjo e rrit njëfarë kosto buxhetore për këto institucionet edhe në një far forme një pjesë të buxhetit që është e alokume për këto institucione shkon në qira. Kjo e dëmton buxhetin për shkak se nëse kishin pas objekte publike që ishin përdorur nga këto institucione që nuk kish pas nevojë për qira, atëherë ato para të qirasë kishin mundur të përdoren në dikastere të tjera të nevojshme për institucione që i përdorin këto”, tha Demhasaj.
Në anën tjetër Demhasaj e sheh edhe si zgjidhje rregullimin e objekteve publike ose shfrytëzimin e disa objekteve të cilat janë të pashfrytëzuara deri më tani në mënyrë që institucionet të largohen nga kostoja e shpenzimeve për qira.
Udhëheqës i Divizionit për Komunikim në Media në kuadër të ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, Zeqir Bekolli, i kontaktuar përmes email-it tha se kjo ministri nuk paguan qira për institucione që veprojnë në kuadër të Qeverisë së Republikë së Kosovës. Ai tha se qiranë e paguan secili institucion në mënyrë të pavarur.
“Me lëshimin në përdorim të Pallatit të Drejtësisë, shumë ndërtesa ku ndodheshin institucionet gjyqësore, u liruan dhe të njëjtat u përdoren për vendosjen e institucioneve shtetërore. Pavarësisht nga kjo, edhe më tej ka institucione që janë të vendosura në ndërtesa private siç është rasti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Komisionit për Miniera e Minerale. Pavarësisht nga kjo, dëshirojmë t’u bëjmë me dije se Ministria e Administratës Publike nuk paguan qira për institucionet, që edhe më tej ndodhen në kuadër të ndërtesave private, ngase qiranë për ato e paguan secili institucion vet. Ndërkaq, MAP-i në kuadër të kompetencave të veta po përpiqet të gjejë zgjidhje për institucionet që edhe më tej ndodhën duke vepruar nëpër hapësirat private”, tha Bekolli.