Qytetarët duhet t’i dokumentojnë dëmet│VIDEO

911

Moebel THEMA

Juristët u apelojnë qytetarëve që të mos i hedhin orenditë e shtëpive dhe gjësendet e tjera që janë shkatërruar gjatë vërshimeve, raporton TV SHENJA.

Ose të paktën të dokumentojnë me foto çdo gjë  të shkatërruar në mënyrë që të kenë bazë për kompensim nga shteti. Avokati Aleksandar Petkovski u sugjeron qytetarëve që të denoncojnë humbjet e tyre vetë te komunat dhe te Qyteti i Shkupit në mënyrë që të fitojnë edhe kompensimin sa më shpejtë.

“Hapi i parë është që të drejtohen tek komunat me kërkesë konkrete në mënyrë që komisionet tashmë të formuara të Qeverisë dhe Komunave të vijnë në shtëpi dhe të bëjnë vlerësimin e dëmit. Kjo në mënyrë që të paguhet dëmi i përjetuar. Është fakt se komisioneve do ju duhet një kohë më e gjatë për vërtetimin dhe kompensimin e dëmeve për shkak të numri të lartë të familjeve të prekura, prandaj duhet të marrin vetë iniciativa për të paraqitur dëmin. Besoj se qytetarët nuk mund të presin vlerësimin prandaj vetë le të fotografojnë gjithçka që e kanë të dëmtuar”, deklaroi për TV SHENJA, Aleksandar Petkovski, Avokat.

Petkovski megjithatë tërhoqi vërejtjen që të mos ketë shumë pritje të larta për vlerësim real dhe kompensim të drejtë të dëmit, pasi Qeveria kompenson vetëm një pjesë të asaj që qytetarët e kanë humbur.

“Është fakt se paratë që do të ndahen në formë kompensimi nuk do të jenë të mjaftueshme, nuk do të mbulojnë as dhjetëpërqindëshin e dëmit as material e as shpirtëror. Dua të apeloj deri tek të gjitha institucionet dhe mediat që të dalin me numra të saktë se sa familje kanë pësuar humbje nga vërshimet”, tha më tej Petkovski.

Derisa banorët presin ekipet e vlerësimit të dëmit të dalin në terren, nga Ministria e Bujqësisë thonë se afro 5 mijë familje kanë pësuar nga vërshimet. Por ky numër me gjasë do rritet kur ekipet e vlerësimit të kenë përshkaur gjithë terrenin e vërshuar në Shkup e në Tetovë.

Comments