Rama mbyll fushatën për Ramën në Dibër


Kryeministri Edi Rama ka mbyllur sot fushatën elektorale në mbështetje të kandidatit të majtë Muharrem Rama për postin e kryetarit të bashkisë, mbetur bosh pas shkarkimit të socialistit Shukri Xhelili që u përfshi në një skandal seksual.
Rama, pasi e vuri theksin tek vlerat e kandidatit të zgjedhur nga mazhoranca përballë atij të zgjedhur nga opozita, u fokusua tek Rruga e Arbrit për të cilën pranoi se ishte vonuar, sepse “u detyruam të lanim borxhet që na lanë këta, – tha ai. – Se po të mos kishim borxhet, do ta kishim ndërtuar tre herë Rrugën e Arbrit. E sa për atë që thonë se e lanë gati, aty e keni shtegun për ta parë vetë nëse është gati.”
Më pas, Rama kaloi në një pikë tjetër, për të cilën tha se akuzohej më shpesh nga opozita:
“Thuhet se Edi Rama ka investuar për jugun dhe jo për veriun, – tha ai, – dhe unë kam këtu ca shifra që po i marr duke nisur nga Arsimi.
Në Arsim, gjatë dy viteve të fundit të PD janë investuar 132 milionë lekë, kurse ne kemi investuar 356 milionë lekë, pra 50% më shumë se ç’ka investuar PD-ja.
Nga investimet e PD kanë përfituar 2100 nxënës, kurse nga tonat, mbi 4 mijë.
Investimet tona i kemi paguar një më një dhe kemi paguar edhe gjysmën e borxheve të tyre. Sikur të mos i kishim, do të kishim investuar edhe 50% më shumë. ”
Rama u shpjegua më pas edhe për protestën e maturantëve nga gjithë vendi, duke marrë si shembull një nxënëse nga Dibra që kishte fituar të drejtën e studimit dhe përmendi shifrat e larta të maturantëve fitues nga kjo bashki.