Rasti “Tenderët”: Kançevska nuk u paraqit në Gjykatë

Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Mileska, dhe një i dyshuar tjetër në rastin “Tenderët”, edhe sot nuk u paraqitën në Gjykatën Penale në Shkup.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që atyre t’u merren pasaportat për shkak të mundësisë së ikjes nga vendi, si dhe çdo të marte të paraqiten në Gjykatë.
Por, Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk ka dhënë informacione se kur do të bëhet marrja e të akuzuarve në pyetje.
Nga Gjykata udhëzojnë që të gjitha informatat lidhur me procedurat hetimore dhe parahetimore të ndonjërës nga prokuroritë në Maqedoni të merren nga palët në këto procedura.
Ndryshe, nga Prokuroria Speciale para pesë ditësh u publikuan rastet “Toplik” dhe “Tenderët”, ku në mesin e të dyshuarve janë edhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Mileska dhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, por ata i hodhën poshtë akuzat.