Rektori i UT-së Vullnet Ameti mori pjesë në shënimin e 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit

437
fresco

midle
dsc_7693

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së ABC-së, Rektori i  Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, bashkë me prorektorët, dekanët, anëtarët e kabinetit të tij, profesorët dhe studentët, evizituan qytetin e Manastirit, me çka iu bashkëngjitën aktiviteteve kushtuar 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilat u organizuan në patronazhin e Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Doc.Dr. Festim Halili. Fillimisht, Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti, bashkë me Zëvendëskryeministrin, Doc. Dr. Festim Halili, e vizituan Muzeun e Alfabetit, në Manastir, ku zhvilluan takim të përbashkët me drejtorin e këtij muzeu, z. Nuer Arsllani. Më pas, ata bashkërisht edhe me disa personalitete të tjera nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, në sallën e Muzeut morën pjesë në Konferencën me temë: ,,Kongresi i Manastirit dhe personalitetet e anëtarëve të Komisionit të Alfabetit”.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, u shpreh se shkrimi i një gjuhe është vlerë kulturore, që zakonisht mund përcaktohet se cilës kohë i takon, sepse me shkrimin fillon jo vetëm historia e asaj gjuhe, por edhe vetë historia e dokumentuar e një populli. ,,Ndjehem shumë i nderuar që në emër të Universitetit të Tetovës t’Ju drejtohem me fjalë rasti në 108 vjetorin e Kongresit të Manastirit, që konsiderohet si njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike dhe kulturore në shekullin të kaluar. Shkrimi i një gjuhe është vlerë kulturore, që zakonisht mund përcaktohet se cilës kohë i takon, sepse me shkrimin fillon jo vetëm historia e asaj gjuhe, por edhe vetë historia e dokumentuar e një populli. Kongresi i Alfabetit u përgatit si rezultat i rrethanave historike, në të cilat çështja  ABC-së u bë pjesë e lëvizjes së madhe për njësimin e ndërgjegjes kombëtare, si parakusht dhe sfond i luftës për pavarësi kombëtare. Vendimet e këtij Kongresi nuk i përcaktuan thjesht vetëm shkronjat, por një orientim kulturor që do të mbetej i përhershëm si identiteti themelor i kombit tonë të lashtë. Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

Ai u organizua në rrethana tepër të vështira shoqërore-politike dhe ishte në vëzhgimin e plotë të Portës së Lartë, shtetit grek dhe qarqeve sllave, megjithatë ata nuk arritën që të pengonin punimet e Kongresit dhe të realizonin politikat e tyre shkrimore, që i impononin përmes disa intelektualëve shqiptarë.  108 vjet më parë, në këtë tempull të Alfabetit, Kongresi i zhvilloi punimet me  harmoninë dhe entuziazmin më të madh dhe në frymën patriotike të mendimtarëve të kombit, si: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Gjergj Gjiriazi, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja,  Sotir Peci, Bajo Topulli dhe shumë të tjerëve që punuan me tërë qenien e tyre për realizimin e njërës prej aspiratave më jetike të kombit tonë, për Alfabetin e gjuhës sonë të bukur, Gjuhës shqipe”, tha Rektori Prof.Dr. Vullnet Ameti.  Ai, po ashtu shtoi se vendimet e Kongresit ishin kurorëzim i veprimtarisë së shtjelluar nga shumë breza lëvruesish të shqipes dhe i përpjekjeve të pandërprera për afrimin e njësimin e gjuhës sonë. ,,Rëndësia e Kongresit të Manastirit është e shumanshme: në radhë të parë për kulturën shqiptare, për lëvrimin shkencor e letrar të gjuhës, por, mbi të gjitha për  zhvillimin e arsimit kombëtar. Duke qenë një Kuvend i mirëfilltë gjithëkombëtar ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimet politike të kohës, luftën çlirimtare të popullit shqiptar në formulimin e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare, për njohjen zyrtare të kombësisë dhe të gjuhës shqipe, për themelimin e shkollës kombëtare shqipe, e tjerë. Që atëherë e deri më sot, gjuha shqipe dhe alfabeti i saj kaloi një rrugë me shumë sfida, por të suksesshme, që të gjithë neve na bën krenarë. Ky alfabet i dha shqipes mundësinë që sot të bëhet gjuhë e artit, e shkencës, e kulturës, e radios, e shkollës, e filmit, e këngës, të bërët gjuhë zyrtare, gjuhë e universitetit,  e gazetave dhe e shumë institucioneve të tjera. Sot kemi një gjuhë shqipe standarde me vlera të mëdha krijuese e komunikuese, e që zgjoi interesim edhe tek shume studiues të huaj. Në këtë Kongres, përveç që u vunë themelet e alfabetit shqip në trajtën e sotme, i cili për bazë ka alfabetin latin dhe ndërtohet sipas parimit një shkronjë një tingull, në të u vunë edhe themelet e identitetit shqiptar, sepse, siç do të shkruante gazeta ,,Drita” e Shahin Kolonjës, që dilte në Sofje, në numrin 21 të saj, të datës 14 shkurt 1903: ,,Një komb mbahet i gjallë, po të ketë gjuhë-shkrimin e vet, ndryshe humbet, shuhet, vdes për jetë”.

Dhe realisht, pasi u vunë bazat e shkrimit shqip në vitin 1908, në Manastir, ndryshoi edhe qasja dhe perceptimi për rëndësinë e çështjes kombëtare, e cila shpejt u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar në vitin 1912”, shtoi mes tjerash Prof.Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Doc. Dr. Festim Halili theksoi se ABC-ja shqipe çdo herë do të përdoret, për të dërguar përpara shkencën, arsimin, popullin tonë, por edhe gjithë njerëzimin. ,,Para 108 viteve, në këtë shtëpi u mblodhën delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga mërgata, me qëllim që të ulen të gjithë së bashku dhe të përpilojnë Alfabetin e njësimin. Kjo shtëpi ka shpirtin e dëlirësisë, ka shpirtin e arsimimit shqip, edhe pse herë pas here kjo shtëpi sulmohet me gurë e guralecë, por shpirti i kësaj shtëpia do të ngadhënjejnë gjithmonë, dhe se ABC-ja shqipe çdo herë do të përdoret, për të dërguar përpara shkencën, arsimin, popullin tonë, por edhe gjithë njerëzimin”, theksoi Doc.Dr. Festim Halili në Manastir.

Ndërsa, po ashtu pas përfundimit të Konferencës në Muzeun e Alfabetit u bë edhe inaugurimi i Dhomës Përkujtimore të Anëtarëve të Komisionit të Kongresit të Alfabetit. Aktivitetet për shënimin e 108 vjetorit u përmbyllën me Gala koncertin që u organizua në Qendrën për Kulturë, ku morën pjesë Orkestra Filarmonike e Universitetit të Arteve ,,Ibrahim Madhi”, violinisti shqiptar me famë botërore,  Shkëlzen Doli, po ashtu dirigjenti i famshëm shqiptar, Olsi Qinami, si dhe artisti i popullit Çun Lajçi. Po ashtu, në Qendrën për Kulturë në Manastir, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti familjes Qiriazi ia dhuroi Logon e Madhe të Universitetit të Tetovës, në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre që kanë dhënë në punimet e Kongresit të Manastirit. Logon e pranoi drejtori i Institutit për studime shqiptare dhe protestante, amerikani David Haselbank.

dsc_8032 dsc_7693 dsc_7673 dsc_7666 dsc_7659 dsc_7554 dsc_7545

Comments