Saraji në karantinë nëse vlerësojnë ekspertët

987
fresco

Erdhi në selinë e BDI-së në Çair për të shprehur shqetësimin për përhapjen e koronavirusit në Saraj.

Kryetari i kësaj komune Blerim Bexheti tha se numri i rasteve me Covid-19 ka arritur në 41, e numri më i madh i të infektuarve janë anëtarë të katër familjeve të Sarajit.

“Informatat që kam thonë se e mira e këtyre numrave që nuk janë pak, është se rastet janë nëpër familje. Kjo domethënë se rastet rriten por e mira është se nuk janë të përhapura në shumë familje nga një person. Numrin më të madh të rasteve, apo gjysmën e të infektuarve e përbëjnë 3-4 familje, ku janë thuajse të gjithë të infektuar”, deklaroi Blerim Bexheti – kryetar i Sarajit.

Nëse ekspertët vlerësojnë se për shëndetin e qytetarëve, Saraji duhet të futet në karantinë, Bexheti thotë se e mbështet plotësisht këtë vendim. Njëherit ai kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që të rrisë numrin e testeve në Komunën e Sarajit edhe atë deri në 700 në ditë. Ndërkaq nga banorët kërkoi që të shmangin edhe vizitat familjare dhe t’i respektojnë masat.

midle

“Kuptohet që do të pranojmë gjithçka që është e rëndësishme për shëndetin e gjithsecilit prej nesh dhe në interes të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Sarajit dhe të Shkupit”, Blerim Bexheti – kryetar i Sarajit.

Përndryshe 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 35 raste të reja me virusin korona, ndërsa 5 persona kanë ndërruar jetë. Në raportin e sotëm të ISHP-së është regjistruar edhe foshnja nga Shkupi, e cila me kërkesë të prindërve të saj është transportuar me aeroplan për në Zvicër, ku edhe ndërroi jetë. Nga të infektuarit, 22 persona janë nga Shkupi, 6 nga Tetova, 4 nga Kumanova dhe nga 1 prej Gostivari, Struga dhe Shtipi.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se nëse vazhdon ky trend i rritjes së rasteve me Covid-19 do të fusë në karantinë disa komuna si dhe do të rikthejë masat restriktive për qytetarët.

“Kam thënë dhe po e përsëris se po, do të marrim parasysh masa karantinimi për mbylljen e komunave ku ka rritje të rasteve. Nuk kemi vendosur për atë, por do t’i ndjekim numrat dhe situatën edhe ditëve në vazhdim dhe nga fillimi i javës së ardhshme do të sjellim vendime”, deklaroi Filipçe.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuar në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 2164, numri i pacientëve të shëruar është 1535, numri i të vdekurve 131, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 498.

Comments